Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përsëriti premtimin për ndihmë të familjeve në nevojë, sapo opozita të vijë në pushtet. Premtimi i Bashës u bë në konferencën për anti-korrupsionin dhe transparencën.
“Interesimi i pjesëmarrësve tregon që korrupsioni dhe mungesa e transparencës janë dy probleme të mëdha të shqiptarëve”, tha Basha.
“Vitin e kaluar, qeveria shpenzoi 80 milionë dollarë për zyra, perde, bileta avionësh dhe i kërkon llogari opozitës se me çfarë parash do të mbulojë koston për familjet në nevojë.
Ne do ta bëjmë realitet premtimin e dhënë, për familjet në nevojë shpenzimet deri në 300 kw drita dhe faturën e ujit do t’ua paguajë shteti. Kjo ka një kosto sigurisht, por vetëm 20 milionë dollarë, katër herë më pak se shpenzimet për zyrat”, vuri në dukje Basha.
Kreu i Partisë Demokratike foli edhe për takimin e së hënës me Ramën.
“Për Reformën jemi gati. Të hënën, opozita pranoi të gjitha sugjerimet për një paketë ndryshimesh kushtetuese që i hap rrugën Reformës. Opozita dha garanci se është e gatshme ta votojë këtë paketë. Kryeministri, mazhoranca e refuzoi. E refuzoi sepse nuk përputhet me konceptin e tij për drejtësi. E patë edhe dje, kur prokuroria nisi të hetojë skandalin e skandaleve, përgjimin, ai kërcënoi prokurorin. Ky është koncepti i tij për drejtësinë. Ajo nuk ishte një mbrojtje për Tahirin, jo. Ishte një mbrojtje direkt për veten”, akuzoi Basha.
d.i.