Banka Botërore: Vijojmë mbështetjen për reformat në Shqipëri

Në përmbyllje të takimeve zyrtare në Bankën Botërore, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka zhvilluar takimin rakordues me Drejtorin Ekzekutiv për Europën në Washington, Patrizio Pagano.

Bisedimet janë përqendruar në projektet me prioritet dhe rëndësi të veçantë, të cilat janë diskutuar me detaje gjatë takimit, me synim gjetjen e zgjidhjeve sa më të shpejta dhe efikase.

Riorganizimi i Autoritetit Rrugor Shqiptar për ngritjen e kapaciteteve dhe kompetencës përmes pavarësisë financiare, projekti për rehabilitimin e urave dhe projekti më i ri për ngritjen e Qendrës së Manaxhimit të Trafikut Rrugor në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme kanë qenë në fokusin kryesor të diskutimeve.

Zhvillimet në sektorin e energjisë dhe atë të ujit gjithashtu janë analizuar, me synim rritjen e performancës së projekteve ekzistuese.

Pagano i ka shprehur ministres Balluku gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen e reformave që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë, reforma të cilat kanë shënuar rezultave të kënaqshme në një kohë të shkurtër.

Drejtori Ekzekutiv i Bankës Botërore, Pagano i është përgjigjur pozitivisht ftesës së ministres Balluku për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri, për t’u njohur dhe identifikuar më nga afër arritjet pozitive që janë shënuar përmes projekteve që BB mbështet dhe nxit në Shqipëri. /a.r

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU