Alibeaj pas tryezës për Reformën: Sot nuk pati refleksion

Kryetari i departamentit per sigurine dhe rendin publik në Partinë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se sot nuk pati refleksion nga tryeza e ekspertëve për vërejtjet e Komisionit te Venecias dhe se kërkohet vullnet politik dhe jo të përdoren 3/5 për miratimin e reformës.

Alibeaj në një deklaratë për mediat pasditen e të martes u shpreh se në mbledhjen e dytë të komisioni të ekspertëve u diskutua thelbi i reformës në drejtësi dhe për çështjet që ka ngritur Komisioni i Venecias.

Alibeaj pohoi se “Konstatuam që për një nga çështjet më thelbësore që Komisioni i Venecias ka thënë dhe që është pikërisht depolitizimi i sistemit, moskapja e sistemit e që përkthehet në draftin e atakuar nga Komisioni i Venecias tek përdorimi i shumicës së tre të pestave, pati një mosreflektim  total, kryeneçës, këmbëngulës, nga ana e atyre të cilët e draftuan draftin e parë të amendamenteve kushtetuese e që u atakua nga Komisioni i Venecias”.

“Ftesa që unë kam bërë në komision ka qenë pikërisht kjo. Këto çështje të kalojnë për të gjetur një kompromis politik midis atyre që përfaqësojnë flukset politike në Parlament. Thirrja e ekspertëve të PD ka qenë që krerët politike të mazhorancës Rama dhe Meta të jenë ata të cilët t’i ofrohen dhe të përqafojnë zgjidhjen që i kanë dhënë opinioni i Venecias. Kështu që në këto kushte, megjithë vullnetin tonë të mirë për të ofruar bashkëpunimin teknik për të gjetur zgjidhje teknike, kam dhënë si zgjidhje në tryezën e ekspertëve që çdo hap tjetër pa tejkaluar këtë lloj ngërci, që mund të zgjidhet vetëm mbi bazën e kompromisit politik midis aktorësh politikë, drejtuesish kryesore, do të ishte thjesht dhe vetëm një kozmetikë”, tha ai.

Alibeaj dha detaje të takimit të sotëm të komisionit të reformës në drejtës, duke theksuar se “Këmbëngulja që konstatova sot përgjatë gjithë debatit për të qëndruar fort këtyre formulave që kapin politikisht  sistemin e drejtësisë, më ka dhënë të kuptoj sinjalin që nga mazhoranca nuk ka një dëshirë për të përqafuar dhe për të qenë konform atyre udhëzimeve e këshillave që Komisioni i Venecias ka dhënë. Pa zgjidhur këtë çështje pjesëmarrja jonë do të ishte vetëm dhe thjesht kozmetikë. Ne kemi treguar gjatë gjithë kohës që jemi të hapur të ofrojmë kontributin tonë më të lartë në këtë komision”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU