“7 Maj 1919” – 100 vjet nga dorëzimi i kushteve të paqes

Nga Bajram Peçi

Pas katër viteve të luftimeve shkatërruese, Lufta e Parë Botërore erdhi drejt fundit, kur në 7 majin e vitit 1919 në Versajë ju dorëzua palëve Traktati i Paqes. Ai, siç historia tregoi më pas, përfaqësonte “paqen” për disa dhe një “diktat” për të tjerët, gjithashtu mbolli farën e Luftës së Dytë Botërore, që lulëzoi njëzet vjet më vonë.

Prezantimi i kushteve të Traktatit të Paqes për Delegacionin gjerman më 7 maj 1919, u mbajt në Trianon Palace, në Versajë. Margaret Macmillan vë në dukje se në sallë ndodheshin gjithë racat e kombet e tokës. Pasi hyri delegacioni përfaqesues gjerman, fjalën e mori kryeministri i Francës, M. Clemenceau:

“Zotërinj, përfaqësues të Perandorisë Gjermane! Nuk është as koha dhe as vendi për fjalë të tepërta. Para jush ju keni të plotfuqishmit e akredituar të të gjitha Fuqive të Vogla dhe të Mëdha, të bashkuara për të luftuar së bashku në luftën që u është imponuar aq mizorisht atyre. Ka ardhur koha kur ne duhet të zgjidhim llogaritë tona. Ju keni kërkuar paqe. Ne jemi të gatshëm t’ju japim paqe. Ne do t’ju paraqesim një libër që përmban kushtet tona. Juve do t’iu jepet çdo strukturë për të shqyrtuar këto kushte, dhe kohën e nevojshme për të. Çdo gjë do të bëhet me mirësjellje që është privilegj i kombeve të civilizuar. Për t’ju dhënë plotësisht mendimin tim, ju do të na gjeni të gatshëm t’ju japim ndonjë shpjegim që dëshironi, por duhet të themi në të njëjtën kohë se ky Traktat i Dytë i Versajës na ka kushtuar shumë që të mos marrim në anën tonë të gjitha masat e nevojshme dhe garanton se kjo paqe do të jetë e qëndrueshme.”

U dëgjua dhe pala gjermane, por nuk u dha asnjë shpjegim dhe s’u bë asnjë lëshim. Kushtet ishin një libër voluminoz. Kryetari i delegacionit gjerman, Brockdorff-Rantzau, kohë më pas u shpreh se, “ ky volum i trashë ishte pothuajse i panevojshëm. Ata mund t’i kishin shprehur të gjitha gjërat vetëm me një nen: Gjermania heq dorë nga të gjitha kërkesat për ekzistencë”

Negociatat ishin provuar të vështira. Traktati u hartua gjatë Konferencës së Paqes të mbajtur në Paris e që kish filluar më 18 janar, por Gjermania ishte jashtë negociatave. Aleatët ishin të paaftë për të rënë dakord midis tyre: Franca donte të hiqte përfundimisht kërcënimin gjerman për t’i dëmtuar vendin; Britania e Madhe dëshironte të ruante statusin e saj dominues; Shtetet e Bashkuara ëndërronin një bote paqësore me themelimin e Lidhjes së Kombeve dhe Italia donte të merrte territoret që i ishte premtuar në vitin 1915, ku përfshihej dhe Shqipëria. Traktati që ju dorëzua Gjermanisë më 7 maj 1919, historia tregoi më pas se ishte i ashpër ndaj Gjermanisë. Përfaqesuesit e saj refuzuan të nënshkruanin. Më 17 qershor, aleatët i dhanë Gjermanisë pesë ditë për të vendosur ose për të rifilluar luftën. Gjermania pranoi “diktat” dhe firmosi Traktatin në 23 qershor.
Titujt që përfshiheshin në Traktat ishin: Lidhja e Kombeve; Kufijtë gjeografikë të Gjermanisë; Klauzolat politike për Europën dhe njohjen e Shteteve të reja Europiane; Klauzolat politike për vendet jashtë Europës; Klauzola e përgjithshme e kolonive të heqjes dorë nga Siami, Liberia, Maroku, Egjipti, Turqia, Bullgaria dhe Shantungu; Klauzola ushtarake, detare dhe ajrore; Të burgosur të luftës; Përgjegjësitë dhe dënimet; Riparime dhe kthime; Klauzolat financiare; Klauzolat ekonomike; Portet, ujrat, lumenjtë dhe hekurudhat; Navigimi ajror; Organizimi i Punës; Garancitë dhe pushtimin e territoreve; Klauzolat përfundimtare; Likujdimi i armatimeve, fundi i luftës, gjendja e paqes.
Nikolson i delegacionit Britanik u shpreh se ‘Traktati ishte formuluar me bindjen se një rend i ri do krijohej”, por krijuan një paqe imperialiste. Principet e mëdha të Uillsonit dhe idealizmi i 14 pikave, europianët e babëzitur imperialist i sakrifikuan. Llojd Xhorxh e pranoi se “…në këtë biznes të madh…përgjegjesitë i mbeten tani botës së civilizuar”. Erzenbergu, firmosësi gjerman i traktatit u vra në vitin 1921. Gjermania ra dakord të paguante shumën dërrmuese prej 20 miliardë markash ari në reparacionet e pretenduara nga Franca. Përveç kësaj, ajo humbi shumicën e minerave si dhe prodhimin bujqësor. Kolonitë e saj u konfiskuan dhe forca e saj ushtarake u gjymtua. E poshtëruar, Gjermania u shpall për hakmarrje.

Shqipëria e copëtuar u ndodh në fund të Luftës së Parë Botërore para rrezikut të shpërbërjes përfundimtare. Traktati i fshehtë i Londrës, ndërmjet Antantës dhe Italisë më 26 prill 1915, parashikonte ndarjen e tokave shqiptare mes Italisë, Greqisë e Serbo-Malazezëve. Një tjetër marrëveshje e fshehtë ekzistonte ndërmjet Italisë e Greqisë: sipas saj, Roma do të mbështeste kërkesën greke për aneksimin e Korçës e Gjirokastrës; Greqia do mbështeste kërkesën e Italisë për aneksimin e Vlorës. Në këto rrethana, atdhetarët shqiptarë, kudo ku ndodheshin, ndërmorën një lëvizje të ethshme në mbrojtje të trojeve shqiptare e të drejtave të kombit. Edhe Ismail Qemali u ndodh ndër të parët në një moment kaq kritik. U ngrit e mori rrugën për të qenë aktiv pranë aksionit kombëtar. Ai ishte nisur për në Paris, por ndaloi në Peruxhia me kërkesë të kryeministrit Orlando, që ndodhej në konferencë. U kuptua se flitej për një izolim të qëllimshëm. Vdiq në Peruxhia më 24 janar.

Në këto kohë anarkie, atdhetarët shqiptarë u mblodhën më 25 janar në Durrës, nga ku doli një qeveri, pa mundur të shmangë ndikimin italian. Qeveria e Durrësit emëroi një delegacion për Konferencën e Paqes në Paris. Të tjera delegacione shqiptare kishin mbërritur në Paris. Mihal Grameno rendit gjashtë, ndërsa Mehdi Frashëri përmend katër dërgata: një delegacion nga Stambolli, një i Esad pashës, një i kolonisë shqiptare të Rumanisë. Por, mbi të gjitha këto të ashtuquajtura delegacione, ku u bënë shumë përpjekje për të bashkuar qëndrimet, spikaste delegacioni i kolonisë shqiptare që do të vinte nga Amerika e që fati nuk e desh të bashkohej me delegacionin e Ismail Qemalit, siç ishte rënë dakord. Studentët shqiptarë në Vjenë, me inisiativë të dr. Bashos i dërguan letër Presidentit Uillson. Një tjetër letër njeh historia edhe nga studentët shqiptarë të Italisë. Në letrat kërkohej që Presidenti ta merrte Shqipërinë nën mbrojtje.

Në ato ditë aq vendimtare për mbijetesën e Shqipërisë, ishte peshkopi Noli ai që lëshoi apelin poetik “Jepni për nënën”, ku secila nga shtatë strofat mbyllej me fjalët e pavdekshme “Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Fan Noli, përfaqësues i federatës panshqiptare “Vatra”, i rrethuar nga një radhë intelektualësh shqiptarë si: Mehmet Konica, Kristo Dako, Mihal Grameno, Kostandin Çekrezi, Parashqevi Qiriazi, Sevasti Dako dhe organet “Dielli” e “Ylli i Mëngjesit”, u shfaq në jetën e ambientet e politikës amerikane tërë forcë, gjallëri e aktivë. U arrit të ndërtohen marrëdhënie me Presidentin Uillson e anëtarët e delegacionit amerikan. Fan Noli u takua më 4 korrik 1918, në jahtin presidencial “Mayflower”, me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili i tha Nolit se “…unë do kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Paris dhe atë zë do ta përdor në emër të shqiptarëve”.

Ishte qëndrimi i Presidentit amerikan ai që shpëtoi Shqipërinë, rrjedhë edhe e luftës e përpjekjeve që intelektualët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe formimin e shtetit shqiptar. Influenca e “Vatrës”, me 72 degë në SHBA, Kanada e lidhjet e qëndrueshme me mbrojtësit e çështjes shqiptare në Angli, Aubrey Herbert dhe Edith Durham, i bënë ballë me dinjitet lukunisë greke, italiane e sllave. Ishte influenca e “Vatrës” mbi delegacionin amerikan që përcaktoi qëndrimin e qeverisë së SHBA-ve për këtë çështje. “Presidenti Uillson bëri më shumë se askush për pavarësinë e Shqipërisë; Uillsoni refuzoi kategorikisht të nënshkruante marrëveshjen, derisa u sigurua në të drejtën vetëqeverisëse të shqiptarëve”, u shpreh Noli pas Konferencës së Paqes. Jo vetëm nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen e copëtimit të Shqipërisë, por qëndrimi i prerë i Presidentit Uillson u pasua nga dy nota, “…më të ndritshmet e karrierës së tij, nota që ndaluan copëtimin e Shqipërisë”, thotë Noli. “Vatra” mbajti pandërprerë një delegacion në Paris. Një nga armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve në atë kohë, kryeministri i atëhershëm grek, Venizellos, u detyrua të pohonte se “…Vatra ma hoqi nga dora Vorio-Epirin”.

Por historia nuk mbyllet këtu! Në janar të vitit 1920, Franca me Anglinë kishin rënë dakord që të zbatohej traktati i fshehtë i Londrës në favor të Italisë. Nga kjo marrëveshje, trupat italiane prej 150 mijë ushtarësh nuk po largoheshin nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra e Durrësi, pavarësisht vendimeve të Konferencës së Paqes në Paris. Por në Shqipëri shumë gjëra kishin ndryshuar pozitivisht. Rreziku që ndjehej ngado kishte bërë që vetëdija kombëtare të ishte forcuar. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe e vendosur në Tiranë, pak ditë pasi Avni Rustemi vrau në Paris Esad pashë Toptanin, ndërmori së bashku me popullin e pothuaj gjithë krahinave, një nga betejat luftarake më madhështore që ka kryer ndonjëherë, atë që në histori ka hyrë me emrin “Lufta e Vlorës”. Më 3 shtator 1920, trupat e fundit ushtarake italiane u larguan nga Vlora. Tre muaj më vonë, më 17 dhjetor 1920, Shqipëria do të bëhej anëtarja e 43-të e Lidhjes së Kombeve.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU