2 mijë lekë çdo seancë me një total prej 11.6 mln lekësh/ Ja sa i kanë kushtuar shqiptarëve, komisionet hetimore

Komisionet hetimore parlamentare kanë lënë gjurmët e tyre ndër vite vetëm në financat e Kuvendit dhe zhurmat e përkohshme që kanë shkaktuar mbi objektin e hetimit të tyre.

Kjo pasi rezultatet, në rastin më të mirë kanë qenë pa një raport përfundimtar të miratuar nga të dyja palët. Por ka edhe komsione si ai “serverit të tatimeve”, që nuk kanë dënjuar as të përpilojnë raportet, ndonëse ka më shumë se dy vite që është ngritur.

Nga ana tjetër, lekët për secilin anëtar dhe kryetar të komisioneve janë lëvruar rregullisht. Top Channel ka mësuar se një anëtar i komisoneve hetimore parlamentare paguhet me 2.000 lekë për çdo seancë, ndërsa kryetari me 2.500 lekë.

Gjatë legjislaturës së 8 të Kuvendit janë ngritur deri më tani 8 komisione hetimore, të cilët kanë pasur nga 4 deri në 13 anëtarë secili. Me një përllogaritje matematikore mbi numrin e anëtarëve dhe seancat e zhvilluara, rezulton se për këto komisione, taksapaguesit shqiptarë kanë shpenzuar plot 11.6 milionë lekë, vetëm si pagesa të anëtarëve për pjesëmarrje në seanca.

Këtu nuk janë llogaritur ekspertët e jashtëm, pagesa e të cilëve varion në varësi të detyrës që marrin. Komisioni për privatizmin e OSSH-së me 2.2 milionë lekë, është i vetmi që deri tani po prodhon lajm dhe debat. Kaq i ka shpenzimet dhe komisioni paralel i CEZ-it, i drejtuar nga opozita.

Por ka një pikë, ku të gjithë anëtarët, specialistët dhe sekretarët e komisioneve bien dakord. Momenti kur firmosin fletët për pagesat shtesë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU