Pak e nga pak, “fotografia” e fazës finale të “Euro 2020” po merr formë. Janë mësuar shumica e skuadrave të kualifikuara për këtë turne, që do të luhet vitin e ardhshëm në disa vende, ndërsa sfidat e mbrëmjes së sotme do ta kompletojnë më tej mozaikun. Shorti për fazën finale do të hidhet më 30 nëntor, ndërsa Kampionati Europian i radhës do të fillojë më 12 qershor 2020 në “Olimpico” të Romës. Aktualisht janë 17 kombëtare, që e kanë prerë biletën për në “Euro 2020”: Spanjë, Itali, Belgjikë, Portugali, Poloni, Ukrainë, Rusi, Turqi, Francë, Angli, Republika Çeke, Finlandë, Suedi, Gjermani, Hollandë, Kroaci dhe Austri.
Kështu, kanë mbetur të kualifikohen edhe tri kombëtare në mënyrë të drejtpërdrejtë. Po ashtu, pritet të mësohen edhe katër kombëtare të tjera, që do ta sigurojnë kualifikimin përmes “play off”-it. Në këtë të fundit, kësaj herë nuk do të luajnë më të mirët e klasifikimit përfundimtar të fazës në grupe, të dytët, ose të tretët e secilit grup. UEFA ka shpikur një sistem kualifikimi, ku 16 skuadra do të luftojnë për katër vende, përmes katër fazave minikualifikuese.
Në mungesë të ndeshjeve të fundit, 13 kombëtare e dinë tashmë se opsioni i tyre i vetëm për të qenë në Kampionatin Europian 2020 kalon nga një ndeshje shtesë: Islanda, Bosnja Hercegovina, Irlanda Veriore, Skocia, Norvegjia, Serbia, Bullgaria, Izraeli, Rumania, Gjeorgjia, Maqedonia, Kosova dhe Bjellorusia. Shorti i “play off” do të mbahet të premten, më 22 nëntor, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen midis 26 dhe 31 marsit 2020.
Sa iu përket sfidave të mbrëmjes së sotme, në grupin D, Danimarka dhe Irlanda luftojnë për dy vende kualifikuese. Në Grupin C, dy gjigantë si Gjermania dhe Hollanda luajnë për vendin e parë në grup. Në Grupin E, Uellsi, Hungaria dhe Sllovakia luftojnë për një vend në “play off”. Ndërkohë, 19 kombëtare janë zyrtarisht të eliminuara tashmë, ku bëjnë pjesë edhe kuqezinjtë tanë: Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Qipro, Estonia, Sllovenia, Lituania, Luksemburgu, Armenia , Azerbajxhani, Kazakistani, Moldavia, Gjibraltari, Ishujt Faroe, Letonia, Lihtenshtajni, Andorra, Malta dhe San Marino./ telesport
g.kosovari