Zjarrvënënësit që po i venë flakën vendit, duan një përgjigje ‘flakë për flakë’

Nga Armando Meta/

Gjatë 24 orëve të fundit situata me zjarret është përkeqësuar ndjeshëm, sidomos në Jug të vendit, gjë që ka detyruar edhe Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, që të kontaktojë drejtpërdrejtë me homologët e tij në vendet fqinje si Greqia dhe italia, për të kërkuar ndihmë në përballimin e kësaj situate. Zjarret e orëve të fundit nuk kanë ardhur thjeshtë për shkak të motit të nxehtë. Zjarret që kanë shpërthyer si me komandë janë kthyer në një epidemi nga persona të papërgjegjshëm, të cilët se kanë përgjë që t’u venë zjarrin pyjeve deri dhe duke kërcyer mbi flakët, pa menduar për pasojat dramatike, deri dhe tragjike, që shkakton kjo ligësi e tyre. Edhe organet hetimore kanë arritur në përfundimin se shpërthimi i zjarreve në pika të ndryshme të Shqipërisë, duket një veprim i organizuar, gjë që po rrezikon edhe sigurinë kombëtare. Dëmet janë kolosale për një ekonomi në lëngim siç është ekonomia shqiptare, pa llogaritur këtu jetët e njerëzve që janë vënë në rrezik, si dhe mijëra hektarë pyje që po digjen duke i sjell dëme të pariparueshme për një kohë të gjatë mjedisit.

Zjarrvëniet nuk janë thjeshtë problem kullotash për të zgjeruar sipërfaqet për të siguruar ushqim për bagëtinë. Zjarrvëniet brenda 24 orëve në pika të ndryshme të vendit janë vepra kriminale nga një grup personash dhe jo vepër kriminale e një apo disa piromanëve.  Nga ana tjetër ky shpërthim zjarresh në mënyrë të organizuar ka nxjerr në pah edhe mjaft probleme që ka shteti shqiptar në përballimin e kësaj situate, duke filluar që nga mungesa e theksuar e mjeteve logjistike për përballimin e këtyre situatave, por edhe një infrastrukturë problematike që nuk është rinovuar që nga vitet 70- 80 të shekullit të kaluar. Është e vërtetë se është mjaft e vështirë për të kontrolluar mijëra hekatarë pyje e kullota nga zjarrvënsit me mëndje kriminale. Por kjo nuk e pengon aspak legjislativin shqiptar që të forcojë ndjeshëm penalitet për ata persona që kapen duke i vënë qëllimisht zjarrin pyjeve, që shumë persona të tjerë t’i bëjnë mirë llogaritë përpara se të ndërmarrin aventura të tilla që shkrumbojnë vendin.  Shqipëria në flakë nuk është as fabul komentesh politike nga persona që shëllehen në diell mbi shezlongje buzë plazheve, aq më shumë kur ata vetë drejtojnë Ministrinë e Mjedisit. Shqipëria në flakë është një dramë mbi të cilën nuk mund të bësh ironi. Shqipëria në flakë është një moment ku i duhet përgjigjur ‘flakë për flakë’ të gjitha mënedjeve kriminale të cilat kanë marrë përsipër t’i venë flakën Shqipërisë për pasione kriminale.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU