Zgjerohet skema e ndihmës ekonomike, ja si të përfitoni

Në muajin Mars të gjithë individët në nevojë që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar, mund të aplikojnë për ndihmë ekonomike me një skemë të re.

Në fakt kjo skemë do të jetë e re vetëm për 9 qarqe në vend, pasi për qarqet Tiranë, Durrës dhe Elbasan është vënë në jetë si projekt pilot që nga viti 2013 dhe vijohet po në të njëjtën formë.

Reforma për zgjerimin e skemës u prezantua nga Ministria e Mirëqenies Sociale në muajin Shtator 2016, ndërkohë që Bashkitë duket se janë treguar neglizhente për pajisjen me internet dhe ngritjen e regjistrit kombëtar elektronik, duke e vonuar këtë proces me thuajse 6 muaj. Por cilat janë risitë që sjellë skema e re, çfarë kriteresh ndryshojnë dhe a do të ketë rritje pagesash?

Si aplikohet për ndihmë ekonomike?

Regjistri Kombëtar Elektronik me të dhënat e detajuara të individëve është hallka kryesore që i paraprin aplikimit të skemës, që synohet të shmangë abuzimet përmes një formule të pikëzuar dhe të verefikueshme on line.  Aktualisht bashkitë në të gjithë vendin po punojnë për ngritjen e kësaj infrastrukture, që duket se do të finalizohet brenda muajit Shkurt. “Bashkitë kanë pasur vonesa në instalimin e internetit dhe ngritjen e regjistrit. Ne kemi zhvilluar takime të herëpas’hershme dhe i kemi nxitur të ecin më hapa të shpejtë. Aktualisht disa bashki janë kompletuar, ndërsa në fund të Shkurtit e gjithë kjo fazë pritet të mbyllet”, thekson Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Etleva Bisha.

Familjet pa të ardhura dhe me të ardhura të pamjaftueshme dhe kategoritë e tjera mund të aplikojnë për përfitimin e ndihmës ekonomike pranë njësisë vendore ku kanë vendbanimin. Për të përfituar ndihmë ekonomike kryefamiljari, së bashku me bashkëshorten nga data 1-10 të çdo muaji paraqiten pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki/njësitë për të aplikuar për ndihmë ekonomike si familje në nevojë me kopjen e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti (për fëmijët certifikata ) dhe dokumente të tjera të përcaktuara në aktet nënligjore.

Administratori, në prani të kryefamiljarit, bashkëshortes, apo individëve plotëson on-line në sistem aplikimin për ndihmë ekonomike, i cili përmbledh informacionin për: demografinë e familjes, arsimin dhe punësimin; llojin e banesës; pasuritë/asetet shtëpiake; të ardhurat nga programet e mbrojtjes sociale. Është me shumë rëndësi që informacioni të jetë i saktë , pasi në rast të kundërt penalizohen familjet për deklarim të rremë.

Kush përfiton?

Në total janë 6 kategori që mund të përfitojnë nga programi i mbështetjes financiare nga buxheti i shtetit. Të tilla si: familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme; jetimët të cilët nuk janë në institucione; prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë; viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre; viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Fëmijë të vendosur në shërbimin e kujdestarisë.

Lista e familjeve aplikante verifikohet automatikisht nga sistemi elektronik me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit,  merret vendimi për këto familje. Me skemën e re, nuk është më administratori shoqëror ai që bën vlerësimin, por formula e pikëzuar e cila përcakton nëse aplikanti e përfiton apo jo ndihmën ekonomike, që përfshin parametra të lidhur me vlerësimin e situates ekonomike të familjeve, të tilla si: kushtet e jetesës, zotërimi i pasurive, të ardhurat nga remitancat.

Vendimi merret brenda muajit nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, dhe formula merr parasysh karakteristikat e ndryshme strukturore të familjeve urbane dhe rurale. Në këtë formë shmangen abuzimet, ku jo të pakta kanë qenë rastet që për shkak të njohjeve apo korrupsionit, shumë familje për disa vite me radhë kanë përfituar ndihmë ekonomike me pa të drejtë nga shteti.

Hiqen kriteret përjashtuese

Disa kritere që deri më tani kanë qenë përjashtuese për shumë aplikantë, që edhe pse nuk kishin asnjë të ardhur nuk e përfitonin këtë pagesë modeste,  janë hequr nga skema. Ndryshimet e pësuara do t’i japin mundësi për mbështetje financiare më shumë individëve në nevojë. Kështu, pasja e një page minimale në shtëpi, e një televizori, disponimi i tokës, nuk janë më kritere penalizuese që heqin mundësinë e përfitimit. Ndërkohë që një risi tjetër është heqja e ndihmës së pjesshme prej 800 lekësh, duke mundësuar vetëm ndihmë të plotë për individët apo familjet në nevojë. Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, gjatë prezantimit të detajeve të reformës në Shtator 2016, ka theksuar se skema ekzistuese nuk targetonte realisht varfërinë dhe në të aplikohej edhe ndihmë e pjesshme me një vlerë të mjerueshe.

“Plot 60% e familjeve të varfëra përjashtoheshin nga mundësia e përfitimit të ndihmës ekonomike për shkak të kritereve të vlerësimit, ndërkohë që vetë procesi i vlerësimit ishte objekt i subjektivizmit njerëzor në vlerësimin e varfërisë. Rëndom haseshin familje që përfitonin edhe vetëm 800 lekë/muaj. Imagjinoni, vetëm 8 mijë lekë të vjetra në muaj një familje, pavarësisht nga sa anëtarë kishte. Asnjë regjistër i saktë, për të mos folur që baza e të dhënave të mund të ishte elektronike. Ata që aplikonin për ndihmë ekonomike, duhet të rropateshin nga një zyrë në tjetër për marrjen e plot 7 dokumentave, qoftë edhe për të marrë vetëm 800 lekë në muaj.  Plot një e katërta e totalit të numrit që përfitonin ndihmë ekonomike, ishin krejtësisht abuzive”, ka theksuar Klosi.

Sipas ministrit Klosi, reforma ndihmës ekonomike mbështetet në dy shtylla kryesore: rritja e masës së përfimit financiar dhe puna për daljen nga varfëria. “Janë 52 indikatorë, 52 tregues të gjendjes së një familjeje apo individi. Kombinimi i këtyre indikatorëve, është ajo që përcakton marrjen e ndihmës ekonomike. Dua të qartësoj dhe qetësoj të gjithë përfituesit e ndihmës ekonomike: nuk do përjashtohet asnjë nga aplikimi i ndihmës që ka televizor, lavatrice, makinë apo qoftë edhe nëse merr pagë të pamjaftueshme si i punësuar. Të gjithë ata, që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur veten apo familjet nuk përjashtohen nga ndihma ekonomike”, ka sqaruar ministri Klosi. Nga ana tjetër me këtë skemë reduktohen edhe  dokumentet e nevojshme për të aplikuar.

Masa e përfitimit nuk ndryshon

Masa e plotë e ndihmës ekonomike, pavarësisht nga përbërja e familjes, nuk mund të jetë më e lartë se 8 000 lekë në muaj.  Tavani është përcaktuar vite më parë dhe kjo nuk ka ndyshuar ndër vite. Nuk ka rëndësi nëse një familje ka 6, 8 apo 10 anëtarë, maksimumi i përfitimit nuk ndryshon. Ç’ka do të thotë se përfitimi është aq i ulët se nuk plotëson nevojat më minimiale të mundshme. Ndërkohë që minimumi jetik për një person, të paktën vitin e fundit, është llogaritur në rreth 17 mijë lekë në muaj, raporton “Scan”.

Udhëzimi më i fundit ku është përcaktuar masa e përfitimit e aplikuar fillimisht në tre qarqet pilot, i përket muajit Qershor 2014.  Konkretisht, masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit e fëmijëve të lindur: a) trinjakë, është 3000 lekë për çdo fëmijë; b) katërnjakë, është 4000  lekë për çdo fëmijë; c) pesënjakë, është 5000 lekë për çdo fëmijë. Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit është 3000 lekë në muaj dhe përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre.

Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore, është 3000 lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë të urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendimin e gjykatës. Ndërsa, masa e ndihmës ekonomike për familje llogaritet: a) 1800 lekë, për anëtarin e parë të familjes sipas renditjes në certifikatën familjare; b) 1260 lekë, për anëtarët e tjerë të familjes mbi moshën 18 vjeç; c) 900 lekë për anëtarët që janë në dhe nën moshën 18 vjeç.  Për rastet kur familja e përzgjedhur për të përfituar ndihmë ekonomike, është e përbërë vetëm nga një anëtar, i cili është mbi moshë pune, masa e ndihmës ekonomike është 2.600 lekë. Kështu, një familje me 4 anëtarë, ku dy fëmijët janë  nën moshën madhore, përfitimi mujor total arrin në vlerën e 4860 lekëve. Në këtë rast nevojat e një familjeje pa të ardhura për person vlerëson në vetëm 1215 lekë në muaj.

Dhe në kushtet aktuale, me çmimet e produkteve bazë ushqimore dhe jo ushqimore, kjo vlerë është e papërfillshme. Megjithatë, mesa duket, kjo pagesë duket e mjaftueshme për shtetin shqiptar që nuk ka marrë asnjëherë iniciativën për të ofruar një pagesë dinjitoze për këto familje të gjedura në në kulmin e varfërisë, duke qenë larg shtetit social, të paktën termit të shteti social që njihet në vendet fqinje. “Rritet masa mesatare e ndihmës ekonomike për familje nga 3500 lekë në 5600 lekë në muaj. Në skemën e re të ndihmës ekononike, nuk ka më ndihmë ekonomike të pjesshme, 800 lekë.  5600 lekë në muaj është masa mesatare të përfitimit, vetëm nga ndihma ekonomike, por jo pagesa më e lartë që shteti jep për individë dhe familje në nevojë. Kemi rritur buxhetin për ndihmën ekonomike gjatë 2 viteve me 24%”, është shprehur theksuar ministri Klosi. Me skemën e re të drejtën për tërheqejen e ndihmës ekonomike e kanë vetëm vetëm gratë.

Refuzon punën? Përjashtim nga skema!

Pavarësisht se nga skema mund të rezultojnë më shumë përfitues, ndihma financiare nuk konsiderohet e përjetshme. Individëve përfitues do t’u ofrohen mundësi trajnimi apo mundësi punësimi, të cilat nëse i refuzojnë, do t’u ndërpritet ndihma financiare e përfituar. “Kemi sot në dispozicion të këtij modeli, një zinxhir të plotë të asistencës së ndihmës për individët dhe familjet në nevojë. Programet e nxitjes së punësimit, ngritja e ndërrmarrjeve sociale që kemi në proces, ofrimi falas i kualifikimit në qëndrat e formimit profesional, zyrat e punës, të gjitha në dispozicion të punësimit të individëve nën asistëncë.

Dhe ky model na ka rezultuar efektiv. Vetëm në një kohë të shkurtër, në zonat pilot të skëmës së dixhitalizuar të ndihmës ekonomike,  janë punësuar rreth 1 mijë përfitues të ndihmës ekonomike.  Me të njëjtin model të ndihmës së gjithanshme për familjet dhe individët në nevojë, do të punohet në të gjithë vendin. Programet e punësimit do të jenë të adresuara kryesisht për njerëzit në nevojë.Por, sigurisht që humbet përfitimin financiar cdo individ që refuzon të dalë nga pasiviteti i përfitimit financiar, duke refuzuar cdo mundësi integrimi në shoqëri”, është shprehur Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi.

Elbasani, qarku më i varfër

Pavarësisht luhatjeve të vogla nga muaji në muaj, skema e ndihmës ekonomike gjatë vitit 2016, sa i përket numritr të përfituesve, ka qenë e qendrueshme dhe janë rreth 80 mijë familje që mbështeten në të gjithë vendin. Konkretisht, referuar të dhënave më të fundit që i përkasin peridhës Maj-Qershor 2016,  janë trajtuar me pagesë financiare nga buxheti i shtetit rreth 79.683 familje. Ndërsa gjithnjë Kukësi ka qenë qarku që ka pasur numrin më të lartë të familjeve përfituese, duket se tendenca ka ndryshuar duke ia lënë vendi Elbasanit.

Referuar kësaj periudhe, vihet re se janë 15,719 përfitues të ndihmës ekonomike në Prefekturën e Elbasanit, e ndjekur nga Prefektura Dibër me 13,271 familje, më tej renditet Prefektura Kukës me 10,733 familje. Ndërsa Prefektura më pak e “varfër” është ajo e Vlorës, ku regjistrohen vetëm 1,437 familje përfituese. Po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vihet re se numri i familjeve përfituese ka qenë rreth 84,145,  apo rreth 4462 përfitues më shumë. Ndërsa qarqet që janë targetuar me varfëri më të lartë apo më të ulët vijojnë të mbeten të njëjtë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU