Zbulimet që janë bërë ditët e fundit dhe që sollën shkarkimin e trajnerit të kombëtares britanike, tashmë marrin një tjetër dimension edhe në kampionatin anglez.
Një tjetër figurë, ajo e një 61 vjeçari italian, me emrin Pino Pagliara “ka hyrë në lojë”. Pagliara ka treguar të paktën edhe për 8 trajnerët të tjerë të shkuar dhe të tashëm në Premier League, të cilët sipas tij merrnin “zarfa” për të shitur dhe transferuar lojtarë në ligë.
Deklaratat janë dhënë gjatë “operacionit” me një kamera të fshehtë nga ana e gazetës The “Telegraph”, me të njëjtën mënyrë që u “kap mat” dhe ish trajneri i Anglisë Sam Allardyce.
Sam Allardyce ra “viktimë” e kamerës së fshehtë të organizuar nga “The Telegraph”. Gazeta britanike thotë se në muajin gusht, dy bashkëpunëtorë të saj iu paraqitën trajnerit të kombëtares së “Tre Luanëve” si investitorë nga Lindja e Largët.
Në bisedën e zhvilluar, “investitorët” kërkojnë këshillën dhe ndihmën e Sam Allardyce për të shmangur disa rregulla të Federatës Angleze të Futbollit për transfertat e lojtarëve.
Trajneri pranon jo vetëm këshillimin, por u thotë me siguri se “me lëvizjet e duhura” diçka e tillë mund të bëhet dhe u përmend ‘investitorëve’ në fjalë shumën prej 600 mijë eurosh, që duhet të paguanin për shërbimet e tij.
Tashmë me “lojtarin e ri” italian që flet edhe për të paktën 8 trajnerë të tjerë, që bëjnë të tilla akte korrupsioni, pritet që gazeta britanike në ditët në vijim të zbulojë dhe emrat./java/a.k