Zgjedhjet në Dibër, testi që provon a ka vdekur koalicioni!

Nga Mero Baze

Zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Dibrës, më shumë se sa një test elektoral, do të jenë një test për aleancat e ardhshme politike në zgjedhjet e vitit 2017. Partia Demokratike i ka kushtuar një rëndësi të veçantë fushatës, duke çuar aty një deputet dhe ish-zyrtar të lartë të qeverisë “Berisha”, Sherefedin Shehu. Shehu është ndoshta profili më i lartë politik që PD ka ka kandiduar në zgjedhjet lokale, pas ndryshimit të ndarjes administrative.

Nga pikëpamja elektorale, Dibra ka qenë një bastion i PD, e cila ka fituar aty Bashkinë prej vitit 2003 dhe e ka humbur në vitin 2015 me një rezultat të ngushtë, falë koalicionit të gjerë të Partisë Socialiste .

Për këtë arsye, këto zgjedhje më shumë se sa test elektoral, do të jenë një test politik, për të kuptuar nëse koalicioni i vitit 2015 është ende gjallë apo jo.

Gjithë vëmendja është përqëndruar tek mënyra se si LSI do të funksionojë në këtë fushatë.

Pas zgjedhjeve të vitit 2015, LSI pati kontestime për sjelljen e Partisë Socialiste në Bashkinë e Pogradecit, Lezhës dhe Mallakastrës, ndërsa lavdëroi sjelljen e Partisë Socialiste në Berat dhe Gjirokastër.

Por prej një viti kanë rrjedhur shumë ujëra, dhe koalicioni nuk është më në ditët e tij të mira. Dhe kur flitet për Dibrën, shtohet dhe një lloj mërie që krerët lokalë të LSI në Dibër kanë pasur për kandidaturën e ndëshkuar, Shukri Xhelili.

Për të gjitha këto arsye, zgjedhjet janë shumë të rëndësishme si një test i funksionimit të koalicionit qeveritar.

Situata elektorale në Dibër është tradicionalisht në favor të PD, dhe me kandidimin e Sherefedin Shehut, bashkohen dhe dy klanet kryesore të PD në Dibër, që ishin në fakt të përçara në zgjedhjet e shkuara.

Kështu që mbetet të shikohet nëse Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, do të gjejnë dot një kandidat për të cilin të bien dakord që duhet ta mbështesin pa prapaskena dhe nëse ato do të funksionojnë si koalicion, apo jo.

Po ashtu, mbetet të shikohet fuqia elektorale e partisë së Shpëtim Idrizit, e cila ka marrë një rezultat inkurajues në zgjedhjet e fundit në këtë Bashki.

Por, kryetesti mbetet raporti PS-LSI. Ky raport duhet të jetë perfekt, që t’i japin shanse fitores së Bashkisë. Nuk është se fitorja apo humbja e Dibrës krijon ndonjë problem në hartën e epërsisë mes të majtës e të djathtës, që aktualisht është 45 me 16, por është një test i mirë, për të parë se si do të shkohet në zgjedhjet e vitit 2017. Dhe pse jo, si do shkohet edhe drejt vjeshtës politike, pas një muaji.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU