Zgjedhjet lëkundin çadrën e opozitës, 6 aleatë braktisën Bashën (firojnë 60 mijë vota)

Gjashtë forca politike, pjesë e koalicionit të udhëhequr nga PD në zgjedhjet e 2013-s, u regjistruan në datën 10 prill në zgjedhje, duke konfirmuar largimin e tyre nga spektri i djathtë i politikës shqiptare.

Largimi më i bujshëm, ndonëse nuk është një lajm i ri është ai i PDIU-t, të Shpëtim Idrizit, parti e cila në zgjedhjet e kaluara grumbulloi pothuajse 45 mijë vota, duke siguruar katër mandate direkt, plus një, vetë Idrizin që i ishte dhënë vend në listat e PD-së.MEGA, partia e dytë më e madhe e minoritetit grek, konkurroi në vitin 2013 edhe ajo si aleate e demokratëve.

MEGA u bë e njohur në zgjedhjet vendore të vitit 2015-s në të gjithë vendin, pasi arriti të fitonte e vetme Bashkinë e Finiqit. Në këto zgjedhje, partia e drejtuar nga Kristo Kiço pritet të konkurrojë si pjesë e koalicionit të majtë. PAA dhe PESH, përkatësisht Partia Agrare Ambientaliste dhe Partia e Emigacionit Shqiptar, të drejtuar nga Agron Duka dhe Kostaq Papa, gjithashtu kanë braktisur Lulzim Bashën. Të dyja bashkë, këto forca grumbullojnë mesatarisht mbi 5 mijë vota.

Janë edhe dy forca të vjetra politike, Aleanca Demokratike e themeluar nga Neritan Ceka dhe Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet e Gaqo Apostolit, ato që kanë konfirmuar “skizmën” me të djathtën, duke u regjistruar në këto votime.

Ndonëse koalicioni i majtë nuk është konfirmuar ende, duke besuar fjalët e Lulzim Bashës, që ka përjashtuar të gjithë ata që janë regjistruar tashmë, është e lehtë të parashikohet se të gjashtë këto forca do të konkurrojnë në listat e koalicionit të udhëhequr nga PS, duke i shtuar përafërisht 60 mijë vota të majtës./Lexo.al

c.a

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU