Zgjedhjet e 18 qershorit, sot afati i fundit i PD për t’u regjistruar. KQZ duhet të nisë shtypjen e fletëve të votimit

Edi Rama i ka vendosur Lulzim Bashës jo pa qëllim ditën e sotme si afati final për të negociuar pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhje.

Teksa doli në konferencë shtypi të premten dhe tërhoqi kandidatët nga zgjedhjet e Kavajës, Rama tha se e priste Bashën deri në datën 7 maj, ndërsa në datën 8 nuk kishte më kohë për të.

Në të vërtetë data 7 nuk ishte një kufi i limitit të durimit të kryeministrit, por një datë që lidhet me aspektet teknike të përgatitjes së zgjedhjeve të 18 qershorit. Dita e sotme është afati i fundit kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në respektim të afateve ligjore, duhet të nisë shtypjen e fletëve të votimit.

Ky institucion ka një kontratë me kompaninë sllovene “Cetis” për shtypjen e fletëve te votimit dhe në bazë të kontratës, kompanisë duhet t’i dorëzohen fletët e votimit deri në datën 7 maj, në mënyrë që ajo të ketë mundësinë t’i përgatisë ato për zgjedhjet e 18 qershorit.

Duke qenë se data 7 i bie e dielë atëhere nesër, pra më 8 maj KQZ duhet të nis prodhimin e fletëve të votimit. Në këto kushte, orët e ditës së sotme, janë finalet e Partisë Demokratike për të marrë vendimin e pjesëmarrjes apo jo në zgjedhjet e 18 qershorit. Nëse do të ketë negociata intensive, dhe do të gjendet një formulë konsensusi për përfshirjen e saj në zgjedhje, atëherë KQZ duhet të rimodelojë fletën e votimit duke përfshirë dhe partitë opozitare. Kjo gjë duhet bërë brenda ditës së sotme. Në rast se kjo gjë nuk do të ndodhë, atëherë PD nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve të 18 qershorit. Kjo logjikë qëndron gjithnjë nëse data e zgjedhjeve ngelet po ajo që tashmë është dekretuar nga Presidenti i Republikës.

Nëse palët do të dakordësohen pas ditës së sotme për të përfshirë PD-në, do të jetë gati e pamundur që kompania “Cetis”, po ta marrë më vonë fletën e votimit, të arrijë ta printojë atë në kohë. Ekspertët thonë se nëse KQZ i lëviz kësaj date të printimit të fletëve, automatikisht do të lëvizë edhe nga data e votimit. Për këtë arsye, Rama ka paralajmëruar se nuk do të jetë i gatshëm për asnjë negociatë, përtej datës 7 maj. “I përsëris Lulzim Bashës, lëre tani Kavajën hiqe nga mendja se mund ta shtysh me provokime, jo datën por as afatin fundit të mundësisë për të hyrë në zgjedhje që është 8 maji dhe fokusohu te zgjidhja që të është ofruar deri më 7 maj. Unë jam gati të ulem përsëri me Lulzim Bashën por këtë herë për të detajuar ofertën që ai ka në tavoline jo për ta filluar nga e para avazin e qeverisë teknike dhe të shtyrjes së zgjedhjeve në kalendar greke, me sebepin qesharak të përgatitjes së votimit elektronik. Zgjedhjet do të bëhen me 18 qershor dhe të hënën me 8 maj unë nuk jam më në dispozicion për Lulzim Bashën dhe PD-në,  nëse deri të dielën ata nuk bien dot dakord për ofertën, për ndryshimin e menjëhershëm të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të ODHIR-it dhe zhbllokimin e Vettingut, natyrisht. Edhe fare pak durim u kërkoi të gjithëve. Jemi në prag të një zhvillimi me rëndësi të madhe me vendin tonë”,-tha Rama në konferencën për shtyp ditën e premte.

Afati
KQZ ka një kontratë me kompaninë sllovene “Cetis” për shtypjen e fletëve te votimit dhe në bazë të kontratës, kompanisë duhet t’i dorëzohen fletët e votimit deri në datën 7 maj, në mënyrë që ajo të ketë mundësinë t’i përgatisë ato për zgjedhjet e 18 qershorit.

Negociatat
Nëse do të ketë marrëveshje politike, KQZ duhet të rimodelojë fletën e votimit duke përfshirë dhe partitë opozitare. Kjo gjë duhet bërë ditës së sotme. Në rast se kjo gjë nuk do të ndodhë, atëherë PD nuk do të jetë pjesë e zgjedhjeve të 18 qershorit./shqiptarja.com

c.a

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU