Zgjaten me tre muaj të tjerë hetimet për Saimir Tahirin

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zgjatur edhe me tre muaj hetimet për ish-ministrin e Brendshëm të Shqipërisë në vitet 2013-2017, Saimir Tahiri. Afati i hetimeve në kuadër të dosjes ‘Habilaj’ përfundonte në datë 17 korrik, ndërsa tashmë janë zgjatur edhe me tre muaj të tjera. Shtyrja e afateve është bërë për shkak se prokurorët janë në pritje të letërporosive nga vendet fqinje që janë nisur nga autoritetet shqiptare për të marrë informacion. Report Tv mëson se prokuroria ka dërguar tre letërporosi të reja drejt Italisë.

Dy janë dërguar në qershor dhe një në korrik, ndërsa këtë javë prokurorët e dosjes ‘Tahiri’ do të shkojnë në Itali për të rimarrë në pyetje të pandehurit, mes tyre ai që cilësohet si koka e bandës së trafikut Shqipëri-Itali, Moisi Habilaj. Prokurorë të dosjes ‘Tahiri’ janë Besim Hajdarmataj, ish-drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Vladimir Mara dhe Elisabeta Imeraj.  Deri më tani Prokuroria bën me dije se ka mbledhur disa prova të reja, ku janë të përfshira edhe udhëtime të Saimir Tahirit, pasi ai u largua nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme. Këto prova janë bërë pjesë e dosjes, ku përfshihen dy udhëtime të Tahirit drejt Italisë dhe Malit të Zi.

Ish-ministri dyshohet se ka shpërdoruar detyrën dhe ka kryer korrupsion në kuadër të grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj i përfshirë në trafikun e kanabisit dhe armëve nga Shqipëria drejt Italisë. Aktualisht hetimet për Tahirin po zhvillohen në gjendje të lirë, pasi Apeli rrëzoi masën e Shkallës së Parë ‘arrest shtëpie’ dhe bllokimin e pasaportës për ish-ministrin e Brendshëm. Procesi është shoqëruar me akuza të shumta nga opozita, ndërsa Tahiri dha dorëheqjen nga posti i deputetit duke u përballur me drejtësinë si qytetar i zakonshëm./a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU