Deputeti i LSDM-së, Muhamed Zeqiri thotë se tre deputetë të VMRO-së ua kanë hapur dyert qytetarëve që të hyjnë brenda Kuvendit për t’i sulmuar deputetët e pozitës së re në Maqedoni.
Zeqiri thotë se qytetarët që janë futur brenda janë udhëhequr nga deputetë të VMRO-së. Ai ka deklaruar në Interaktiv të KTV-së se nga salla parlamentare kishte shikuar një televizion që transmetonte pamje nga jashtë dhe thotë se nuk arrin ta kuptojë se si qytetarët hynë brenda, pasi e di se ekziston siguri e madhe dhe dyert mbyllen nga brenda.
“Nuk besuam që mund të depërtojnë sepse ka siguri të madhe, por nuk kaloi dy-tre minuta dikush ua hapi dyert. Pas gjithë asaj që ndodhi, Ministria e Punëve të Brendshme ka vërtetuar se tre deputetë të VMRO-DPMNE-së ua hapën dyert. U kanë treguar ku gjendet salla dhe kanë depërtuar shumë shpejt.
Policia nuk i ka penguar. Kam biseduar me policë shqiptarë. Një më ka thënë se ishin dy policë specialë në derë dhe dy të thjeshtë. Ata më thanë se ‘kemi kërkuar intervenime, por askush nuk na dha urdhër që të veprojmë apo të dërgojë përforcime’. Do të thotë gjithçka ka qenë e kontrolluar nga VMRO. Ata kanë kontrolluar të gjithë”, ka shtuar më tej ai. (b.an)