Zbogar: Kuvendi Kosovës të votoj demarkacionin

Samuel Zbogar tashmë po kalon orët e fundit të misionit të tij në Kosovë. Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar në këto momente ndodhet në një takim mes miqsh të ftuar në përmbyllje të punës së tij në Prishtinë. Në një restorant në periferi të kryeqytetit, atë janë duke e nderuar me përshëndetjet e fundit shumë nga personalitetet me të cilët ai pati punë këto vite në udhëheqje të misionit të BE-së.

Në një intervistë për RTK-në, Samuel Zhbogar deklaroi se BE-ja pret që Kuvendi i Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi. Zbogar tha gjithashtu se protestat dhe demonstratat janë demokratike, derisa ato janë paqësore, por ai është shprehur kundër dhunës në Kuvend. “Aty vendoset me vota, me shumice votash” dhe sipas tij nuk ka vend për dhunë.

“Qëndrimi i BE-së është që Kuvendi i Kosovës duhet ta ratifikojë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi. Ne mendojmë se kjo çështje duhet të përmbyllet, kjo është edhe kusht i BE-së për liberalizmin e vizave. Nga ana jonë ne nuk kemi dashur të përzihemi lidhur me demarkacionin, ne nuk jemi marr me harta, këtë e kane bere ekspertët vendorë edhe ndërkombëtarë”, ka thënë Zbogar për RTK-në.

Ai dha edhe një porosi për pasardhësin e tij, duke ja kujtuar atij dhe qytetarëve të vendit se “Kosova ka një histori shumë të vështirë, njerëzit kanë vuajtur aq shumë sa që duhet kuptuar se njerëzit mund të bëhen emocional, përfshirë edhe politikanët, dhe duhen kuptuar ata, por në fund të fundit kosovarët duhet ta dinë se vendimet përfundimtare i marrin vetë ata”.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU