Zbardhet sherri mes Mark Frrokut dhe ekspertes në gjyq… për një pasuri të pajustifikuar prej 2 mln eurosh

Mënyra se si është përllogaritur pasuria e të pandehurit Mark Frroku u bë shkak për një përplasje të fortë mes palëve në seancën e djeshme në ngarkim të ish-deputetit të akuzuar për “vrasje”.
Kontabilistja e Prokurorisë së Përgjithshme, Greta Drangu, dha shpjegime para palëve në lidhje me akt-ekspertimin kontabël të përgatitur prej saj gjatë hetimit.

Sipas këtij aktekspertimi, ish-deputeti Frroku ka një pasuri të pajustifikuar prej gati 2 milionë dollarësh amerikanë, ç’ka u bë shkak që ai të akuzohet edhe për pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Dëshmia e ekspertes nisi me tension në sallën e gjyqit, për shkak se ajo tha se nuk ishte e licencuar si eksperte kontabiliste.

“Në dhjetor 2015 kam qenë eksperte kontabël në Prokurorinë e Përgjithshme. Unë nuk kam licencë të regjistruar si eksperte kontabël, por përgatitja e atij akti ka qenë në funksion të punës që kryej konform ligjit”, tha Drangu.

Kjo përgjigje ngjalli reagimin e fortë të të pandehurit dhe avokatëve, të cilët pretenduan se, për shkak të punës së saj në prokurori, ajo ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit.

Ekspertja Drangu sqaroi se për të përpiluar akt-ekspertimin ishte bazuar në dokumentet e dosjes hetimore, që pasqyronin pasuritë e ish-deputetit.

“Unë nuk kam mbledhur informacione të tjera, por jam bazuar vetën mbi dokumentet e siguruara nga prokuroria”, rrëfeu ekspertja.

Gjatë pyetjeve të tyre, në vijimësi, dy mbrojtësit e Frrokut pretenduan se ekspertja nuk kishte marrë parasysh disa nga pasuritë e klientit të tyre dhe se nuk i kishte llogaritur të ardhurat që ishin siguruar nga këto burime.

Avokatët kërkuar kryerjen e një akti të ri ekspertimi, ku veç Drangut të merrte pjesë edhe një eksperte kontabël e pavarur, e zgjedhur nga gjykata.

“Unë kam pasur një shoqëri bastesh në pronësi time. Kisha edhe serverët e saj. Mund të vendosja vetë bileta fituese, apo manovra të tjerë, po të doja të fshihja gjë. E gjithë pasuria ime është e vënë me djersë dhe punë nga unë dhe familjarët e mi”, këmbënguli i pandehuri Frroku nga kafazi i sallës.

Një nga momentet më të nxehta të debatit ishte edhe vlera prej 500 mijë euro e shtëpisë së Frrokut. I pandehuri sqaroi se ajo shtëpi aktualisht i përkiste atij, por se ishte ndërtuar me kontribut të përbashkët nga anëtarët e familjes para se ata të ndaheshin. Ekspertja pretendoi se kjo vlerë është deklaruar nga Frroku në ILDKP, pa përcaktuar përqindje mbi pronësinë./panorama/a.k

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU