Xhevahiri Donnarumma, Raiola shqetëson Milanin

Te Milani mund të ketë shumë pikëpyetje, por një qartësi e pranojnë të gjithë, Gigi Donnarumma. Edhe pse është vetëm 17 vjeç, i ka shpatullat aq të gjera sa shpesh mban mbi to problemet e skuadrës. Vendimtar kundër Torinos me penalltinë që i priti Belottit, shkëlqeu edhe në Napoli, sërish vendimtar edhe në Genova kundër Sampdorias me pritjet ndaj Torreira Barreto e Muriol. Gjithsesi te Milani duhet të mendojnë seriozisht për të ardhmen e Donnarummës, pasi fjalët e agjentit të tij Mino Raiola janë një paralajmërim serioz. “Gigi është një xhevahir, dhe xhevahirët duhet të rrinë në vitrinat e bukura, pasi nëse nuk ndodh kështu çfarë xhevahirësh janë pastaj?”.

Janë këto fjalët e Mino Raiolës që tingëllojnë në një farë mënyrë si kërcënim për Milanin. Klubi i rezistoi në verë ofertave për Donnarummën, dhe mbërritja e pronarëve të rinj kinezë është një ndihmë më shumë për të blinduar Donnarummën. Rinovimi i kontratës së tij është padyshim një ndër prioritetet e drejtuesve të Milanit që iu duhet të evitojnë mundësinë për t’u përballur me surpriza të pakëndshme. Kontrata aktuale e portierit skadon në vitin 2018, në shkurtin e ardhshëm do të mbushë 18-vjeç duke arritur moshën madhore dhe ai do të jetë momenti ideal për Milanin për të firmosur me Donnarummën një kontratë të re 5-vjeçare.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU