Xhafaj: U hodhën bazat për një drejtësi të munguar

Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj ka dhënë një prononcim pas miratimit në parim të draftit për reformën në drejtësi. ai thotë se është një fillim i mirë dhe tashmë puna është më e lehtë. Sipas Xhafaj sot u hodhën bazat për t’u dhënë shqiptarëve drejtësinë e munguar.

Keni miratuar me konsensus reformën në drejtësi, çfarë do të ndodhë më pas?

Së pari më duhet të them që sot kemi hedhur një hap të mirë, pas 20 muajsh punë intensive, në një proces gjithëpërfshirës, tejet transparent dhe me standardet më të mira ndërkombëtare. Kemi një projekt kushtetues i cili hedh bazat për një sistem të ri drejtësie, për drejtësinë aq të munguar dhe aq të shumëpritur nga qytetarët shqiptarë. Durimi edhe nga pikëpamja proceduriale u shpërblye. Nuk e votuam javën e kaluar, por sot, edhe me kontributin e opozitës, me reflektimin pozitiv të saj, kemi një votë pozitive, një votë mbështetëse në parim të projektit kushtetues. Që do të thotë, nga sot me këtë votë në parim i hapet rruga diskutimit nen për nen  të procesit në ditët në vijim, votimit në tërësi dhe më pas shqyrtimit në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë.

Natyrisht ky është një proces, që do të marrë kohën e nevojshme, por pasi kanë kaluar 20 muaj punë intensive, në një proces mëse gjithëpërfshirës, me një përfshirje të gjerë të gjithë institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe ekspertizës më të mirë vendase dhe ndërkombëtare, mbetet shumë më pak punë për të bërë në debatin ndërmjet nesh, përsa kohë, që kemi pranuar sot, të gjitha palët në tryezë, që janë reflektuar në këtë projekt rekomandimet e Opinionit Final të Komisionit të Venecias, por edhe pikëpyetjet ose çështjet e ngritura dhe të trajtuara nga debati që është bërë nga anëtarët e Komisionit të Posaçëm parlamentar. Në ditët në vijim, e kemi ndarë procesin në gjashtë kapituj dhe i kam propozuar një axhendë të ngjeshur pune anëtarëve të komisionit e ndarë në gjashtë kapituj. Shpresoj që të ecet me këtë ritëm me shqyrtimin të çdo kapitulli hap pas hapi. Shpresoj, nëse ka realisht vullnet të sinqertë, ne do të mund ta përfundojmë në kohë gjithë këtë proces.

Ajo që ju e konsideruat si reflektim të opozitës, z. Xhafaj, a u parapri me komunikime me faktorin ndërkombëtar apo është e palidhur deklarata e z. Lu se votimi në parim do të ndodhte sot, me atë çfarë ndodhi në Komisionin e Posaçëm? 

Bëj pjesë tek ata që e vlerësoj shumë angazhimin e ekspertizës ndërkombëtarë në gjithë këtë proces, faktin që ata kanë qenë bashkëpjesëmarrës me ne në hartimin e këtij projekti. Vlerësoj rolin e partnerëve ndërkombëtarë në mbështetjen që i kanë dhënë procesit, suportin e  fuqishëm përmes asistencës teknike që i kanë dhënë këtij procesi, por natyrisht edhe ai suport i veçantë politik që i kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë nevojës për të ecur me ritme më të shpejta në Reformën në Drejtësi, së pari si një kërkesë jetike e qytetarëve shqiptarë, por së dyti natyrisht, edhe si një kusht i partnerëve ndërkombëtarë për t’u integruar më tej në proceset evropiane. Më duhet të them që edhe ata kanë luajtur padyshim rolin e tyre, por ajo që është e rëndësishme, është fakti që sot në Ditën e Evropës, ka një lajm të mirë, ka një votë në parim për projektin kushtetues.

Sa e gatshme është mazhoranca të ofrojë konsensus dhe për çështjet politike për të cilat u adresua edhe dje në letrën e tij z. Halimi?

 Mazhoranca ka qenë dhe mbetet tërësisht e gatshme sepse mazhoranca ka iniciuar këtë projekt, ka administruar këtë projekt dhe ka treguar përgjegjshmërinë maksimale ndaj këtij projekti. Dhe si e tillë, mazhoranca ka gjithë përgjegjësinë për ta çuar përpara këtë projekt edhe përmes konsensusit të nevojshëm për çështje që meritojnë dhe që e kanë të domosdoshme një gjë të tillë.

A jeni gati të hiqni dorë nga 3/5 për zgjedhjen e disa funksionarëve të gjykatave dhe të prokurorisë?

Mbetet një çështje që do të zhvillohet, do të diskutohet, do të debatohet në Komisionin Parlamentar. Ka opsione të ndryshme për mënyrën se si mund dhe duhet të formatohen institucionet e reja të sistemit të drejtësisë. Ka formula të ndryshme që lidhen me shumicën e cilësuar apo variantet e tjera alternativa. Të gjitha këto janë dhënë, janë paraqitur, do të elaborohen në ditët në vijim dhe jam i bindur që do të gjendet një zgjidhje që do të tregojë që realisht kjo mazhorancë e ka pasur dhe e ka vullnetin për ta shtyrë përpara këtë proces në mënyrë tejet pozitive. Gjithmonë, në funksion të cilësisë së këtij projekti, pra në funksion të zgjidhjeve që nuk cenojnë thelbin e këtij projekti. Çdo kompromis është i mundshëm për sa kohë që ruan thelbin e këtij projekti, që e bën atë një projekt të certifikuar, të mbështetur nga partnerët në përputhje me standardet kombëtare dhe më kryesorja, në interes të nevojës për të patur drejtësi për qytetarët shqiptar.

 Gjashtë kapitujt i keni ndarë deri në fund të majit, siç tha ambasadori apo shkon me përtej, kur mund të miratohet?

Ajo që unë sot kam propozuar në komision është që ka qenë ndarja në gjashtë kapituj. Kapitulli i parë është kapitulli që lidhet me nenet për integrimin. Kapitulli i dytë është ai që lidhet me Gjykatën Kushtetuese. Kapitulli i tretë është ai që lidhet me gjyqësorin. Kapitulli i katërt ai që ka të bëjë me institucionet e reja, Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, Këshillin e Emërimeve etj. Kapitulli tjetër, i pestë, është kapitulli që ka të bëjë me Prokurorinë dhe kapitulli i fundit është ai që lidhet me dispozitat kalimtare dhe vlerësimin. Ne kemi rënë dakord për këtë gjë dhe do të bëjmë gjithë përpjekjet që çdo ditë të punojmë në mënyrë intensive për t’i ezauruar kapitull mbas kapitulli, nëse do të jetë e nevojshme, duke punuar edhe në fundjavë. 

Në çfarë date? 

Mund të mbarojë edhe për një javë. Në gjykimin tim, me vullnetin e gjithë kolegëve dhe bazuar në gjithë këtë punë të madhe që është bërë, s’ka arsye që të mos përfundojë në një kohë shumë të shkurtër. Ne kemi debatuar për orë të tëra në komision midis nesh. Pra e kemi ezauruar debatin. I njohim qëndrimet që janë rreth çështjeve të caktuara. Kemi ngritur pyetje, ekspertët ndërkombëtarë kanë dhënë përgjigje. Nuk e kuptoj se çfarë do të duhet më shumë. Ka shumë pak çështje të cilat mund të kenë nevojë thjeshtë për vendimmarrje politike të palëve.

 A do të duhet më ndërhyrja e ndërkombëtarëve për kaq kohë sa ka mbetur në diskutimin për reformën? 

Ju konsideroni ndërhyrje. Unë nuk do ta konsideroja ndërhyrje. Për sa kohë këtë pjesëmarrje e kemi pranuar që në vendimin e Kuvendit. Duhet të jemi të kujdesshëm. Çfarë kemi thënë ne kur kemi hartuar vendimin e Kuvendit që i hapi rrugën procesit në nëntor të vitit 2014. Kemi thënë që ky do të jetë një proces, gjithëpërfshirës, transparent me standardet ndërkombëtare duke pasur angazhimin e ekspertizës më të mirë vendase dhe ndërkombëtare. Angazhuam Komisionin e Venecias. E përfundoi detyrën e vet Komisioni i Venecias. Angazhuam ekspertizën ndërkombëtare dhe vazhdojnë të mbeten të angazhuar deri në fund në këtë proces. Pra, dhe siç e kanë thënë dhe vetë ata, ata janë bashkëhartues të projektit dhe ata do të jenë bashkë me ne në gjithë këtë rrugëtim deri në momentin e miratimit. Dhe jo vetëm deri në momentin e miratimit. Të mos harrojmë, ata do të jenë pjesë aktive e implementimit, e zbatimit për t’i dhënë qëndrueshmëri, për t’i dhënë garanci procesit. 

A është gati komisioni për të vazhduar paralelisht me pjesën e ligjeve siç kërkon opozita me të gjithë paketën ligjore?

Ne këtë javë fillojmë proceset e konsultimeve të ligjeve. Ky është një lajm tjetër shumë pozitiv. Fillojmë me shtatë ligjet prioritare. Fillon procesi i konsultimit këtë javë në mënyrë që për të pasur çdo gjë të qartë, për të hequr çdo lloj paqartësie, çdo lloj pikëpyetje, çdo lloj akuze po të dëshironi ju, mbi procesin në mënyrë që projekti kushtetues të ecë së bashku me ligjet prioritare të cilat janë kusht për të zbatuar normat e reja kushtetuese. Dhe ky proces duhet të fillojë që këtë javë me konsultimet publike. Janë hartuar draftet. Janë debatuar me një pjesëmarrje të gjerë të grupeve të interesit, gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe tashmë do t’u nënshtrohen një konsultimi më të gjerë se kaq. Janë bashkëhartuar, janë produkt i përbashkët i ekspertizës vendase dhe ndërkombëtare atë që kanë kërkuar vazhdimisht të gjitha palët për të dhënë garanci. Më shumë se kaq nuk mund të kuptoj se çfarë mund të bëjmë në këtë proces.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU