Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka kritikuar ashpër opozitën me sulmet që sipas tij ka adresuar ndaj Policisë së Shtetit. I pranishëm në aktivitetin “Forca e Ligjit në Zbatim, Arritje e Sfida”, Xhafaj tha se me sulmet e pakuptimta ndaj forcave të rendit, opozita nuk po bën gjë tjetër veçse po ndihmon krimin.
“Politika e pozicionuar kundër qeverisë duhet të njohë rezultatet e policisë. Jam i keqardhur që kjo politikë synon policinë, e më keq e bën këtë edhe kur operacionet kanë prodhuar rezultate shumë të mira kundër krimit të organizuar. I shërben interesave të botës së krimit, përcaktimi me terma si narko-policia etj. Ne e dinim që lufta kundër krimit, do njohë kundërreagimin kriminal, por nuk kemi pritur që edhe një pjesë e politikës të kundërreagonte kështu. Uroj që kjo pjesë e politikës të kuptojë misionin e saj”, tha Xhafaj.
Ai tha më tej se tashmë është hartuar një plan veprimi konkret për përmbushjen e rekomandimeve të dala nga raporti i Këshillit Evropian pak ditë më parë, në kuadër të procesit të negociatave.
“Vlerësimet e KE në fushën e rendit, të pasqyruar në raportin e datës 28 Qershor, janë pozitive si ansjherë më parë. Rekomandimet janë për të vijuar me rrugën e nisur. Ne jemi duke i lexuar me shumë vëmendje, vlerësimet dhe rekomandimet dhe ju siguroj se ato do gjejnë reflektim në rezultate konkrete. Në reflektim të këtyre rekomandimeve kemi përgatitur një plan veprimi. Masat deri në Qershor 2019 me synim përmbushjen e rekomandimeve”, vijoi Xhafaj.
Ai tha se policia ka njohur suksese në luftën kundër krimit të organizuar dhe vendosjen e rendit në tërësi. Kur tha këtë, minsitri u ndal te një statistikë konkrete mbi besueshmërinë e qytetarëve të policia.
“Profesinalizmi i treguar nga polciia ka bërë që besimi ndaj saj të rritet ndjeshëm. Rreth 63 % e qytetarëve kanë besim te policia dhe vlerësojnë me nota pozitive punën e saj. Është e vështirë që nga ky lloj debati, shpesh herë degradon në shpifje, të kuptosh si qëndron rezultati dhe puna ndaj interesit publik. Si ministër, për mua është mëse e mjaftuehsme që qytetarët i besojnë policsë në shumicë dërrmuese. Ky besim është inkurajim për të ecur përpara”, tha ai./a.m.