Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqeri Syla deklaroi se prokuroria ka nisur hetimet për vrasjen e liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Për hetimin e kësaj vrasjeje, e cila ndodhi sot në mëngjes në Mitrovicë të veriut, para selisë së partisë së Ivanoviçit, tashmë janë angazhuar dy prokurorë të kësaj prokurorie. “Vrasja e Oliver Ivanoviçit është duke u hetuar nga një ekip prej dy prokurorëve të Prokurorisë sonë, Nijazi Rexha dhe Jova Radoviç”, ka thënë Shyqeri Syla për KALLXO.com.
Ai tha se ende nuk ka asnjë të dyshuar për këtë vrasje. Aktualisht, ekipi kosovar i ekspertëve të mjekësisë ligjore është duke kryer autopsinë e trupit të pajetë të Oliver Ivanoviçit. Ndërkohë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar përfshirjen e prokurorëve serbë në hetimin e vrasjes ndërsa ka thënë se edhe prokuroria serbe do ta kryejë një hetim paralel për këtë vrasje.
ma.me