Vrasja e Kasmit, si u zbuluan autorët nga furgoni

Zbardhet një pjesë të dosjes së Prokurorisë së Tiranës për vrasjen e Devi Kasmit, ndodhur më 29 janar.

Sipas dosjes, ka qenë një furgon i bardhë, i cili ka marrë vrasësin pas atentatit, ai që i ka çuar hetuesit te greku Efthymios Efthymious dhe tre të arrestuarit e tjerë, Elton Hoxhallari, Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari, shkruan Panorama.

Sipas dëshmive, rezulton se ekzekutori ka qenë një person i vetëm në momentin kur u qëllua Kasmi dhe u largua me motor. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar atentatorin me motor, që merret nga disa persona, disa metra më larg, përmes një furgoni tip “Benz”, ngjyrë e bardhë. Kamerat kanë fiksuar edhe targën e furgonit.

Prokurorët kanë mundur të identifikojnë më pas edhe pronarin e tij, që është një shtetas nga Fushë-Kruja. Ky i fundit është marrë në pyetje dhe ka deklaruar se e ka shitur furgonin për 4200 euro.

Ai ka treguar se shitja është bërë te një notere, më 17 janar dhe personat që e kanë kontaktuar, kanë qenë Elton Halipaj dhe Malvin Dinellari. Kjo ka qenë përcaktuese për hetuesit, për të zbuluar grupin dhe shtëpinë e Aurel Hoxhallarit, i cili dyshohet si organizator i atentatit, por që është ende në kërkim.

BLERJA E FURGONIT

Shtetasi nga Fushë-Kruja, që ka shitur furgonin tek organizatorët e atentatit, ka thënë në Prokurori se ai është takuar me dy persona rreth moshës 25 vjeç, në afërsi të sheshit “Shqiponja” në Tiranë.

Sipas tij, blerësi komunikonte me dikë tjetër në telefon për çmimin dhe në fund ranë dakord për ta kryer blerjen e furgonit kundrejt 4200 eurove. Nga dëshmia e pronarit të furgonit, rezulton se personi që ai ka takuar, ka qenë Elton Halipaj, ndërsa paratë janë dhënë nga Malvin Dinellari.

Këta të fundit kanë thënë në Prokurori se punonin për Aurel Hoxhallarin dhe furgonin e kishin blerë për llogari të tij. Policia më pas ka mbajtur në vëzhgim të dyshuarit për pak ditë, derisa i arrestoi.

Gjatë dëshmive në Prokurori, të arrestuarit kanë thënë se shtetasi grek Efthymios Efthymious kishte vetëm një muaj që kishte ardhur në Shqipëri dhe ishte mik i Aurel Hoxhallarit. Ai është arrestuar gjatë aksionit policor, teksa tentonte të largohej nga banesa.

/Panorama

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU