Vota e emigrantëve, Xhafaj-Majko: E drejtë që nuk ushtrohet, të gjejmë gjuhën e përbashkët

Përmbushja e të drejtës së votës për emigrantët mbetet objektiv. Një tryezë u organizua për këtë çështje ku ishin të pranishëm ministrat Xhafaj dhe Majko.

Ministri për Diasporën Pandeli Majko është shprehur se do të bëhen të gjitha përpjekjet për regjistrimin e shtetasve shqiptarë jashtë kufinjve si dhe për mundësimin e votës për ta, një proces për të cilin ai kërkoi dhe bashkëpunimin e opozitës në vend.

“Shtetasve shqiptarë jashtë vendit u duhet bërë e qartë se me plotësimin e dokumetave të reja identifikuese pasaportë dhe kartë identetit të mos vendosë adresën e vjetër apo shtëpisë së prindërve në Shqipëri por atë të vendqëndrimit në vendin pritës. Çdo shmangie duhet konsideruar ashtu siç është paligjshmëri, falsifikim dhe si mosrespektim që shteti shqiptar ka me kompaninë koncesionare për këtë qëllim.

Ky është diskutimi i parë publik, shpresoj që kolegët deputet në komisionin e reformës zgjedhore të gjejnë gjuhën e përbashkët për çështjen e votës së shtetasve jashtë vendit. Po flasim për votues të majtë dhe të djathtë që do të fitojnë një të drejtë të munguar. “-tha Majko.

Nga ana tjetër Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u shpreh se ka ardhur momenti që të vendosim për sistemin që mundëson ushtrimin e kësaj të drejte për emigrantët.

“1/3 e shtetasve shqiptarë me të drejtë vote nuk e ushtrojnë këtë të drejtë. Është momenti të vendosim për sistemin që mundëson ushtrimin e të drejtës së votës. Gjetja dhe aplikimi i një sistemi që mundëson votimin e emigrantëve pa qenë të detyruar të paraqiten fizikisht është shumë e vështirë në kushtet e kësaj klime politike të tensionuar artificialisht.

Duhet të vendosim dhe sa më shpejt tu japim përgjigje pyetjeve si: A do tu sigurohet e drejta e votimit në çdo mënyrë emigrantëve për të gjitha llojet e zgjedhjeve përfshirë Kuvendin, qeverisjen vendore, referendumet lokale, kombëtare etj? Në varësi të modelit të votimit që duam të zgjedhim a do tu kërkohet atyre që paraprakisht të regjistrohen si votues që të përfshihen në listën e zgjedhësve apo automatikisht ata do të jenë në listën e zgjedhësve sikurse është sot? Këto çështje kërkojnë adresim të shpejtë.”-shtoi Ministri./a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU