Vonesat e avionëve, dy kompani më problematiket, AAC: Ja si dëmshpërblehen pasagjerët!

Gushti shënoi rekord për sa u përket vonesave ose anulimit të fluturimeve me avionë nga Rinasi. Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil janë 33 vonesa me mbi 2 orë dhe 8 anulime fluturimesh. Ndërkohë, si 8-mujor janë regjistruar 124 fluturime me të paktën dy orë vonesë, kurse 37 fluturime të tjera janë anuluar.

Por, cilat janë kompanitë më problematike?

“Dy kompanitë më problematike në Aeroportin e Tiranës janë dy kompani italiane, është e rëndësishme të theksohet se janë me licenca italiane, si ‘Blue Panorama’ dhe ‘Fly Ernest’. Kemi rënë dakord me autoritetet italiane që miratimi i programimit të fluturimeve në vazhdim për sezonin dimëror të këtyre kompanive të jetë i bazuar në performancë. Me këtë dua të them se, aq vonesa dhe anulime kanë bërë këto kompani, aq do t’iu reduktohet edhe programi i fluturimeve për sezonin e ardhshëm”, shprehet Krislen Keri, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil.

Në përgjithësi, shkak i vonesave ka qenë shtimi i fluturimeve dhe kapacitetet e kufizuara që kanë kompanitë për të përballuar asistencën teknike të flotës së avionëve. Autoriteti i Aviacionit Civil shpjegon se, çdo pasagjer që preket nga vonesa mbi 3 orë ka të drejtë të udhëtojë me fluturimin më të afërt dhe të asistohet nga kompania ajrore.

“Në momentin që ndodh vonesa, pasagjeri shqiptar duhet të kërkojë menjëherë të futet në fluturimin e mëvonshëm, në rast se është vonesë. Ndërsa kur është anulim duhet të kërkojë vendin e vet në fluturimin e mëvonshëm. Më pas duhet t’i kërkojë kompanisë ushqim dhe pije falas, e nëse vonesa është mbi 5 orë kanë të drejtë të kërkojnë edhe paratë e biletës mbrapsht dhe të prenotojnë një biletë tjetër. Në rast se vonesa është përtej orës 12 kanë të drejtë të shkojnë edhe në hotel”, shpjegon Krislen Keri.

Hapi i dytë është marrja e dëmshpërblimit, që bëhet duke plotësuar një formular që gjendet në stendat e Aviacionit Civil në aeroport, ose faqen “online” të këtij institucioni.

Kompania ka detyrim që për çdo vonesë mbi 3 orë apo anulim të dëmshpërblejë pasagjerin me një vlerë monetare prej 250 eurosh. Kjo bëhet nëpërmjet plotësimit të formularit që ndodhet në stendat në aeroport, si dhe në adresën tonë zyrtare ‘aac.gov.al/tedrejtatepasagjerit’. Aty janë të gjithë formularët dhe informacioni i duhur bashkë me evidencat e biletave, pasagjerët duhet t’ia çojnë këto kompanisë dhe të vënë në dijeni Autoritetin e Aviacionit Civil, që i ndjek në mënyrë të vazhdueshme”, thotë më tej Krislen Keri.

Vonesat dhe anulimet e flututimeve janë shtuar në vitin 2018 nga Rinasi, sidomos nga kompanitë ajrore “loë cost” me destinacion Italinë

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU