Vjen receta e pazakontë: Ja çfarë të gatuani për… vjehrrën!

Shef Renato ka ndare sot me dritare.net një recetë për drekë me vjehrrën. Çfarë të bëni për ta çuditur nënën e burrit tuaj dhe burrin tuaj njëkohësisht.

Përshëndetje edhe sot nga unë!

Mezi e presim këtë fundjavën. Dhe aq më shumë tani që koha po hapet dhe dita po zgjatet.

Çdo të diel kemi përgatitur pjata të veçanta, të shpejta dhe me plot shije. Por këtë të diel kam menduar një menu dreke shumë të veçantë. Me plot dashuri.

Jo, nuk është Shën Valentini, është një e diel e veçantë. Një e diel me menu që ju do të përgatisni për vjehrrën tuaj, për atë njeri që sa herë ju jeni në punë, ato janë aty që të mbajnë fëmijët tuaj. Vetëm kjo mjafton, pa shumë fjalë.

E pra, jepini dashuri këtë të diel, tregojini gjithë falënderimin sepse e meritojnë.

Me 2 receta të shpejta. Me shumë shije dhe të shëndetshme.

E para është një sallatë valeriana me rukola dhe me domate të thara dhe balsamiko. Dhe e dyta, një pjatë kryesore me peshk levrek në avull.

Sallatë valeriana me rukola dhe me domate të thara.

Për 4 persona nevojiten:

1 qeskë sallatë valeriana
2 tufa rukola
100 gr domate të thara
1 qepë të freskët
Kripë
Piper
1 tufë koper
1 tufë majdanoz
50 ml uthull balsamiko
150 ml vaj ulliri
2 thelpinj hudhra

(salca që do përgatisni për sallatën do t’ju teprojë, por ju mund ta përdorni edhe një herë tjetër)

Kalojini të gjitha në mikser derisa të bëhen sos dhe më pas trazojeni salcën me sallatën valeriane.

Levrek në furrë me erëza, xhinxher dhe perime

Për 4 persona nevojiten:

4 levrekë
3 limona
Kripë
Piper
Pak rozmarinë
Pak thimo
Vaj ulliri
3 patate
Pak brokoli
4 karota
4 speca jeshile
4 speca të kuqe
4 domate
4 kunguj jeshilë
Pak xhinxher

Përgatitja:

Pasi të keni pastruar peshkun, vendoseni në një letër alumini, brenda dhe jashtë peshkut vendosni të gjitha perimet të prera bukur, shtoni kripën, piperin, erëzat dhe vajin e ullirit dhe mbylleni shumë mirë letrën e aluminit. Menjëherë futeni në furrë me temperaturë 200 gradë për 20-30 minuta, në varësi të kileve të peshkut.

Ju bëftë mirë!

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU