“Vizat”/ Reagon zëdhënësja e KE: Jemi në dijeni, por nuk kemi kërkesë nga ndonjë vend anëtar

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Natasha Bertaud, ka komentuar votimin e parlamentit holandez për kthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë.

Bertaud u shpreh se Komisioni është në dijeni të mocionit të kaluar nga parlamenti holandez të martën, por deri tani ne nuk kemi asnjë njoftim nga ndonjë vend anëtar.

“Komisioni është i vetëdijshëm rreth mocionit që kaloi në Kuvendin e Holandës gjatë ditës së djeshme, por ekziston një procedurë specifike për mekanizmin e rikthimit të vizave dhe deri më sot nuk kemi marrë asnjë njoftim nga asnjë shtet anëtar që kërkon mekanizmin e pezullimit të vizave për cilindo nga vendet që përfitojnë nga udhëtimi pa viza “, tha Natasha Bertaud.

Ndërkohë nga Qeveria holandeze vijnë sinjale pozitive. Ministri i Jashtëm Stef Blok në përgjigje të ligjvënësve të ekstremit të djathtë që kërkuan rivendosjen e vizave për shqiptarët ka thënë se nuk parashikon ta paraqesë në Bruksel mocionin e parlamentit.

Dhoma e përfaqësuesve në Hollandë miratoi të martën me shumicës votash, 92 nga 150, një propozim të paraqitur nga 5 forca politike, 3 prej të cilave pjesë e koalicionit në pushtet, sipas të cilit Qeveria e këtij vendi do të duhet t’i kërkojë Komisionit Europian të pezullojë mekanizmin e rregjimit pa viza.

Kërkesa u motivua me rritjen e aktivitetit të organizatave kriminale shqiptare që veprojnë në këtë vend. Gjatë diskutimeve, ministri i Jashtëm hollandez Staf Blok por dhe ai i Brendshëm e i Drejtësisë Ferdinand Grapperhaus mësohet se e kanë kundërshtuar kërkesën.

Grapperhaus ishte vetëm pak javë më parë në Tiranë dhe në konferencën e tij për shtyp me ministren shqiptare të Drejtësisë Etilda Gjonaj foli me tone pozitive për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit europian si dhe për bashkëpunimin edhe me autoritetet policore shqiptare.

g.kosovari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU