Vito Kapo: Qeveria të gjejë kurajo dhe të dekorojë Enver Hoxhën

E pyetur për dekoratën “Medalja e Mirënjohjes” që i dhanë dy vite më parë si pjesëmarrëse në luftën antifashiste, një dekoratë që u kontestua nga opozita, sidomos nga Partia Demokratike dhe pati një jehonë të gjerë mediatike, Vito Kapo përgjigjet se e ka pranuar me kënaqësi atë dekoratë se e meritonte.

Madje thekson se në radhë të parë me atë medalje duheshin dekoruar Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha.

“E kam thënë kur më dekoruan, e kam thënë vazhdimisht dhe do ta them sa të kem jetën. Ato dekorata ne i kemi merituar dhe i meritojmë se kemi bërë një luftë heroike. Ne çliruam vendin nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Këtë nuk mund të na e mohojë askush.

Enver Hoxha ishte në krye të luftës, udhëhoqi Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Si Enver Hoxha dhe Nexhmija Hoxha luftuan kundër pushtuesve. E përsëris: Qeveria të gjejë kurajon të dekorojë Enverin dhe Nexhmije Hoxhën, të cilët janë figura qendrore të luftës.

Të dekorohen me ceremoni dhe jo në fshehtësi! Akuza e ditëve të sotme janë politike”, thotë Vito Kapo.

E pyetur se si ndihet kur i thërrasin “zonjë”, ajo përgjigjet:

“Në fakt nuk kemi qenë ndonjë familje shumë e pasur. Kemi qenë familje e mesme. Por, prapë, kur më thonë “zonjë” nuk ndihem mirë. Se si më duket kjo fjala zonjë. E huaj dhe e papërshtatshme për mua. Më pëlqen më shumë kur më drejtohen “shoqe”. Unë dhe brezi im i luftëtarëve antifashistë kemi qenë idealistë dhe luftuam jo për zotërinjtë, po për të varfrit”. /r.a

1 koment

PËRGJIGJU