Vito Kapo: Berisha më ndihmoi ti bënim maskë përkujtimore Hysniut, Saliu nuk na ka sulmuar

Vito Kapo në pjesën e dytë të intervistës për gazetën Dita, jep përgjigje për dyshimet mbi vdekjen e Hysniut, çfarë i tha Enver Hoxha, si dhe heshtjen misterioze të dr.Petrit Gaçes kur ajo e pyeste mbi këtë çështje.

Por edhe për marrëdhëniet mes Kapos dhe Mehmet Shehut, familjes Kapo dhe Sali Berishës.

Për këtë të fundit, Vito Kapo beson se pasi mori pushtetin në Shqipërinë “demokratike” dhe burgosi e ndoqi penalisht gati gjithë eksponentët e regjimit komunist, familjen Kapo nuk e preku pikërisht si shenjë luajaliteti ndaj shërbimit të dikurshëm….

Padyshim, e veja e Hysni Kapos ka diçka për të thënë edhe për nipin e saj, Andi Bushati.

“Vetë Enveri më ka thënë më pas se herën e parë kur shkoi në Paris (më 1978) Hysniun kanë dashur ta helmojnë…

Po, po, ma ka thënë Enveri vetë me gojën e tij. Po se kush ka dashur ta helmojë këtë nuk e mora vesh kurrë.

Në vijim Enveri më tha se herën e dytë Hysniu doli se kishte kancer dhe kancerit nuk kishim çfarë t’i bënim…

Kështu më ka thënë dhe besoj në këto fjalë të Enverit”, shprehet ajo.

Vito Kapo pohon se Sali Berisha ka qenë në ekipin e mjekëve të Hysniut dhe ka bërë detyrën që i takonte si mjek:

“Por edhe Hysniu i ka trajtuar me dashuri dhe respekt mjekët. Dhe mjekë Hysniu kishte Ylli Popën, Petrit Gaçen, Sabitin, Dinen dhe Saliun…

Nuk mund të dyshoj tek Saliu për këtë. Hysniu e dinte se Dine Abazi dhe Saliu ishin tropojanë dhe nganjëherë bënte dhe bejte si të gjithë lebërit që i sajojnë vargjet aty për aty. Është e vërtetë që ka bërë edhe një bejte për Saliun dhe Dinen e duke e kënduar qeshte.

“Dy doktorë kam nga Tropoja,

Të dy të bukur nga boja (nga shtati).

Skërfyelli, bilbil nga goja (për Sali Berishën)

Po këtë doktorin tjetër (për Dine Abazin)

E kam besnik të vjetër!”

Pra unë nuk dyshoj se Saliu ka përshpejtuar vdekjen e Hysniut. Ai nuk ishte i pari i mjekëve në Paris. I pari ishte Aleksandri, ai mjeku francez. Nga shqiptarët ishte Petrit Gaçja.

E kam pyetur më pas Petrit Gaçen: Po si ndodhi mo Petrit, pse na vdiq aq shpejt e papritur Hysniu? Më thuaj ndonjë gjë… Po Petriti mjaftohej gjithnjë me pak fjalë: “Shoku Hysni ishte një njeri shumë i mirë. Ruaj kujtimet më të mira nga ai…”. Dhe asgjë më shumë.

Pasi mendohet pak, Vito Kapo shton:

“I jam mirënjohës për një gjë Sali Berishës. Pasi vdiq Hysniu, iu luta mjekëve që njërën dorë të Hysniut ta derdhnin në allçi, pra të bënin një maskë të saj që ta kish si kujtim. Aty Saliu u hodh e tha: Pse dorën? Bëjmë maskën e fytyrës… Dhe ai ndihmoi shumë për këtë. E kam falënderuar për këtë… Po a e dini ju se vetëm tre vetëve u është bërë maska e fytyrës në këtë mënyrë? Të parit i është bërë Alqi Kondit, tim vëllai, pastaj iu bë Hysniut në Paris dhe të tretit i është bërë Enver Hoxhës…”

Më tej, e pyetur për sjelljen e Sali Berishës pas vitit 1990, kur ai la profesionin e mjekut dhe iu fut politikës, u bë president dhe kryeministër dhes i shpjegohet që ai e futi në burg Nexhmije Hoxhën dhe thuajse gjithë ish-Byronë Politike, ndërsa Vito Kapon nuk e futi në burg, Vito Kapo thotë:

“Edhe për këtë mendoj se ai ka shpërblyer respektin dhe besimin që Hysniu tregoi ndaj tij kur ishte gjallë. Saliu asnjëherë nuk e ka sulmuar publikisht Hysniun dhe familjen Kapo gjatë këtyre viteve…

Ju doni të dini se çfarë mendoj unë për Saliun politikan? Janë thënë aq shumë dhe e kanë kritikuar aq shumë sa unë nuk kam ç’të shtoj më shumë…”

Në një moment, gazetari Xhevdet Shehu qeë e ka intervistuar, bën një kapërcim dhe e pyet Vito Kapon si e ka njohur Mehmet Shehun dhe si kanë qenë marrëdhëniet e Hysniut me Mehmetin gjatë viteve? Përgjigja e saj ishte e thjeshtë dhe e qartë:

“Ka qenë një nga marrëdhëniet më korrekte dhe më shoqërore midis tyre. Ata njiheshin që nga koha e luftës dhe në zjarrin e luftës lidhën një miqësi të ngushtë midis tyre. E respektonin shumë njëri-tjetrin. Mjafton të them një fakt shumë domethënës: Të gjithë dridheshin para Mehmet Shehut, për shkak të autoritetit dhe të aftësive që kishte. Edhe anëtarët e Byrosë Politike (me përjashtim të Enverit dhe Hysniut, natyrisht) kur kishin punë me të. Kur kishin ndonjë material të vështirë që duhej të kalonte te Mehmeti për firmë, ata ia jepnin më përpara Hysniut dhe i thoshnin Mehmetit që e ka parë shoku Hysni këtë. Kur s’kishte firmën e Hysniut materiali, Mehmeti merrte në telefon Hysniun dhe e pyeste nëse e kishte parë iks material apo jo. Dhe pasi merrte përgjigje pozitive e miratonte. Njëherë Ramiz Alia tha: “Shyqyr që na nxjerr nga situata shoku Hysni, sa herë kemi punë me Mehmetin…” Ja ky ishte Mehmeti, i rreptë, i drejtëpërdrejtë, skrupuloz e parimor si ai…”

Megjithatë, për fundin e Mehmetit, Vito Kapo thotë vetëm kaq:

“Ishte i dhimbshëm ai fund. Ishte e turpshme ajo mbledhje dhe qëndrim i ashpër kundër Mehmetit në dhjetorin e 81-shit. Kryeministër si Mehmet Shehu nuk ka për t’i ardhur kurrë Shqipërisë… Ishte e trishtueshme përbërja e Byrosë politike në vitet e fundit. Enveri nuk kishte thuajse asnjë shok të shquar të kohës së luftës dhe me merita të spikatura që nga koha e luftës në byro më pas. Atëherë bëhesh politika e ngritjes në përgjegjësi të kuadrove nga klasa punëtore. Përjashtim nga të gjitha ngritjet që u bënë në ato vite mund të bëj vetëm për Themie Thomain. Kemi qenë bashkë ministre dhe ia kam çmuar gjithnjë aftësitë dhe intelektin. Për të tjerët nuk di ç’të them…

I thashë njëherë Hysniut: Mirë që i ngrini këta njerëz nga klasa punëtore, po të paktën zgjidhni njerëzit më inteligjentë dhe ata që dinë të drejtojnë.

Hysniu më dha të drejtë në heshtje…:

Ajo pyetet dhe se si i ka marrëdhëniet e saj me Nexhmije Hoxhën:

“Shumë të mira, -përgjigjet menjëherë. – Flasim shpesh në telefon pasi kemi thuajse të njëjtat probleme të moshës. Ja dje biseduam… Nuk e mohoj miqësinë dhe shoqërinë e gjatë që na lidh së bashku që nga koha e luftës”.

Më tej ajo më tregon për shumë miq e shokë që e vizitojnë thuajse çdo ditë në shtëpi apo pi kafe me ta aty pranë shtëpisë, mes të cilëve veçon ish-shoqëruesin e Hysniut, Naim Saraçin.

Gazetari e pyet dhe se si ndihet kur sheh në ekran apo lexon shkrimet e Andi Bushatit, nipit të saj.

Ajo thotë shkurt dhe qartë:

“Andi është djalë i zgjuar dhe i thotë me kurajo mendimet e tij. Ai ka krijuar tani personalitetin e tij dhe nuk pret ta mësojë kush për ato që thotë dhe shkruan. Bën edhe parashikime dhe nuk di të bëjë kompromise në kurriz të së vërtetës. E çmoj shumë Andin…”

Pastaj tregon edhe këtë fakt:

“Kur botohen shkrime për Hysniun dhe sidomos nga njerëz që nuk i dinë mirë këto gjëra, unë shqetësohem shumë. Ia shpreha këtë shqetësim Andit. De a e dini se si m’u përgjigj: Mos u shqetëso, nëna. Fakti që flitet aq shumë për gjyshin, tregon se ai ka qenë një njeri i madh e i zoti. Përndryshe do ta kishte mbuluar heshtja dhe harrimi…”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU