“Viti 2025 i hapur për të gjitha vendet”, Express: Drejt çeljes së negociatave për Shqipërinë

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker iu shpreh vendeve të Ballkanit Perëndimor se ata mund t’i  bashkohen BE-së duke filluar nga viti 2025 nëse do të punojnë për të arritur kriteret e anëtarësimit, shkruan e përditshmja e njohur britanike “Express”.

Në fillim të këtij muaji, Komisioni Europian paraqiti strategjinë e tij për të integruar Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë në BE.

Junker deklaroi se të gjitha vendet mund të jenë pjesë që prej vitit 2025, si dhe u shpreh se Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme që do të ndihmojnë vendin t’i bashkohet BE-së.

Gjatë një fjalimi në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Juncker tha se “historia na ka ndarë për një kohë të gjatë dhe ne nuk duhet të humbasim më shumë kohë. Ka ardhur momenti për të rishkruar historinë”.

Në Shqipëri, Juncker deklaroi se, “pavarësisht nga çfarë lexohet kudo, Komisioni dhe unë vetë nuk kemi thënë se Serbia dhe Mali i Zi do të jenë patjetër anëtarë të BE-së që prej vitit 2025”.

“Viti 2025 është i hapur për të gjitha vendet kandidate”, vazhdoi ai.

“Dhe në çastin që një vend kandidat në atë moment, më pas apo më herët do të ketë arritur të gjitha kriteret e anëtarësimit, ne do të procedojmë në mëndyrë të tillë që përpjekiet e tij të vlerësohen nga BE-ja”, theksoi Juncker.

Mali i Zi dhe Serbia shihen si anëtarë të afërt të BE-së, ndërsa Shqipërisë dhe Maqedonisë pritet t’u hapet drita jeshile për bisedimet e pranimit në qershor.

Maqedonisë i është kërkuar gjithashtu se duhet të gjejë një zgjidhje për problemin e emrit me Greqinë për të lehtësuar hyrjen.

Juncker filloi turin e tij në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në Maqedoni dhe më 1 mars do të ketë vizituar të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zëdhënësi i shefi i Komisionit Europian u shpreh për gazetarët se “ky tur në Ballkanin Perëndimor reflekton një ripërtëritje të interesit që Komisioni kërkonte të injektonte në gjithë Europën”.

Pavarësisht se Serbia po përpiqet t’i bashkohet BE-së, ajo vazhdon të ketë lidhje të ngushta me Moskën dhe është shprehur se nuk do t’i bashkohet sanksioneve ekonomike të BE-së kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU