Viti 2009… kur Berisha urdhëroi që 7800 ushtarakë të kthenin pagat me vlerë 13 mln dollarë

Ditën e sotme, qeveria shqiptare shpalli vendimin për rritjen me 7% të pagës për të gjithë ushtarakët aktivë, duke nisur nga 1 marsi i vitit të ardhshëm. Megjithatë, më shumë se sa për pagat, sot ushtarakët janë të lumtur për një tjetër “lak” që u është hequr nga fyti.

Në vitin 2009, për shkak të 4 ligjeve të aprovuar që binin ndesh me njëri-tjetrin, qeveria e mëparshme arriti në përfundimin se 7 800 ish-ushtarakë të dalë në pension kishin përfituar një pension më të lartë nga sa u takonte (pavarësisht se pensioni i tyre i parakohshëm kishte një vlerë qesharake).

Si rrjedhojë, qeveria e atëhershme urdhëroi 7 800 ish-ushtarakë që të kthenin pas përfitimet e marra, duke u ngarkuar ish-ushtarakëve dhe familjeve të tyre, në shumicën e rasteve familje të varfëra, që të paguanin mbrapsht një faturë prej plot 13 milionë dollarësh (mesatarisht 2 mije dollarë për person, por për disa prej tyre, detyrimi ishte shumë më i lartë).

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë vendimin e qeverisë, të konsideruar të jashtëligjshëm, por në mënyrë tërësisht përçmuese për ligjin, Ministri i atëhershëm i Financave doli në Parlament për të thënë: “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ilogjik dhe si rrjedhojë, ne nuk do ta zbatojmë!”.

Për qeverinë e kaluar, ish-ushtarakët ishin një klasë “me prirje historikisht të majta”, nga e cila nuk përfitonin shumë vota dhe prandaj, pavarësisht sakrificave dhe mundit të derdhur për dekada në shërbim të atdheut, ata meritonin të dënoheshin me heqjen e çdo të drejte për të pasur një jetë të denjë.

Kjo padrejtësi vazhdoi deri në vitin 2013, kur pas zgjedhjeve të përgjithshme, falja e detyrimeve të ish-ushtarakëve ishte pjesë e programit politik të qeverisë së re. 5 425 ish-ushtarakë, që duhet ende të paguanin u amnistuan, por nga nëntori i këtij viti, e në vazhdim për gjashtë muajt e ardhshëm, do të përfundojë rimbursimi nga ana e shtetit e të gjithë detyrimeve të marra padrejtësisht nga ish-ushtarakët që deri tani kanë paguar këtë “lak të paligjshëm”, të vendosur rreth fytit të tyre./tema

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU