VIDEO/ Rusia interes për trazira në Shqipëri? Bashës i jepet hapësirë e madhe në tv rus

Rrjeti televiziv ndërkombëtar rus RT (Russia Today), i financuar nga qeveria ruse , i ka kushtuar një hapësirë të veçantë lëvizjeve të fundit politike të kryeopozitarit Lulzim Basha. Përmes një kronike të zgjeruar në edicionin qëndror, RT ka trajtuar zhvillimet në Shqipëri ku mesa duket është pozicionuar indirekt me opozitën e vendit.

Në materialin e përgatitur, vihet re se kjo media është përpjekur t’i japë kohë televizive veçanërisht kryedemokratit Lulzim Basha, sulmit të Edi Palokës me bojë në Kuvend, vullnetit për djegien e mandateve dhe mësymjen e militantëve drejt institucionit të Kryeministrisë.

Ajo që ngre pikëpyetje dyshimi në kronikën e përcjellë, është mungesa e balancimit me mazhorancën, ku nuk kanë shfaqur asnjë interes për të marrë në pyetje përfaqësues të qeverisë apo Partisë Socialiste.

Në tërësi, siç mund të ndiqet gjithçka është fokusuar tek Lulzim Basha i cili i tha televizionit “Russia Today”, se djegia e mandateve ka të bëjë me faktin se sipas tij parlamenti është zgjedhur jo me votat e popullit, por ato të krimit të organizuar që bashkëpunoi me qeverinë.

 “Parlamenti ynë nuk është produkt i votës së popullit, por siç është bërë e ditur nga përgjime të prokurorisë të publikuara nga media ndërkombëtare, është produkt i krimit të organizuar që ka bashkëpunuar me qeverinë aktuale”, nënvizoi ai.

Basha ka bërë të ditur se protestat e opozitës do të shtrihen në të gjithë vendin, ndërsa i ka bërë thirrje qeverisë për një zgjidhje politike.

Pavarësisht hipotezave, analizave dhe investigimeve të hedhura në media, ende nuk janë zbuluar plotësisht prapaskenat ruse që thuhet se po gatuhen në Tiranë.

Pas ripublikimit nga mediat shqiptare të kronikës së “Russia Today”, pjesa më e madhe e televizioneve dhe portaleve vendase e kanë fshirë menjëherë nga platformat e tyre elektronike duke ngjallur hije dyshimi për këtë veprim në unison.

Një nga njerëzit më të përfolurit mediatikisht për lidhjet e forta me Kremlinin, ka qenë lideri opozitar Basha. Mjafton të kujtojmë investigimin e thelluar të prestigjozes amerikane “Mother Jones”  e cila faktonte se si një kompani me lidhje ruse kontraktoi një ish-ndihmës të Trump për të forcuar Partinë Demokratike në Shqipërisë në DC.

Siç dihet, qëllimi i RT-së është të shpërndajë për audiencat e huaja propagandën shtetërore ruse dhe interesat që Moska Zyrtare ka në vende të caktuara.

/a.meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU