VIDEO/ RAI reportazh për kryeministrin artist të Shqipërisë

Kryeministri shqiptar Edi Rama është kthyer në subjekt të “Rai Arte”, jo si shef i ekzekutivit shqiptar, por si artist pjesëmarrës i Bienales së 57-të në Venezia.

Reportazhi i realizuar për të përqëndrohet tek pasioni estetik i njeriut që ka në duar frerët e vendit, dhe dellin e tij artistik. Pasi arriti të bëhej një pedagog pikture në Akademinë e Arteve në Tiranë, kujton autori, Rama e zhvilloi karrierën e tij në rezidencën artistike “Cite International des Arts”, në Paris, qytet në të cilin jetoi për disa vite në azil politik, për t’i shpëtuar përndjekjes në vendin e vet.

Pas rikthimit e gjen veten ministër kulture e më vonë zgjidhet kryetar i bashkisë së Tiranës dhe falë një seri nismash që synonin, siç thotë Rai, të ngjiznin tharmin e një ndjenje krenarie dhe përkatësie qytetare. Projektet e tij të rikualifikimit të fasadave urbane dhe të hapësirave publike “shëruan” një frakturë të krijuar mes qytetarëve dhe autoriteteve shtetërore, e cila buronte nga rrëzimi i regjimit komunist në Shqipëri. Rama e shpjegon vetë veprën e tij.

“Është një wallpaper i realizuar nga një seleksionim i vizatimeve rastësore që i kam hedhur në letër në zyrën time. Praktikisht, ato janë bërë vetë; mendja ime është në tjetër vend kur dora bën këto që shikoni; gjatë një telefonate, gjatë një pauze, fillon me letrën e parë që gjej mbi tavolinë e kështu vazhdoj më tej”, shprehet Rama.

Dhuntitë artistike të kryeministrit shqiptar Edi Rama titullohet reportazhi, dhe pikërisht ato kërkon. Skrivania e vendosur në zyrën e tij është e mbushur me penela dhe lapsa të të gjitha ngjyrave, të cilat i përdor për të ngopur pasionin e tij artistik. Kështu, në duart e Ramës, axhenda e tij dhe ndonjëherë edhe dokumenta shtetërore, shndërrohen në një telajo për skica instiktive.

Këto dhunti i sollën dhe ftesën e Christine Macel për të marrë pjesë në “Viva Arte Viva”, titulli i zgjedhur për edicionin e Bienales së Artit të Venecias, ku Edi Rama prezanton një lloj posteri mural të një seleksioni të punëve të tij, një lloj dialogu artistik me Olafur Eliasson, në të cilin shkrihet lidhja e ngushtë e të dy artistëve sa i përket çështjeve të ekologjisë dhe luftës kundër varfërisë.

/tch/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU