VIDEO/ Afrikë, SHBA-të përshkallëzojnë luftën me dronë

Në muajt e ardhshëm, ushtria amerikane do komandojë nëpër Afrikë fluturimin e dronëve më të fundit, të armatosur me bomba. Baza prej ku do të nisen ndodhet në Niger, dhe kjo lëvizje do të jetë përshkallëzim i ndjeshëm i një lufte që SHBA-të po vazhdojnë në Afrikë, por që nuk ka marrë vëmendjen e mediave.

Dronët MQ-9 Reapers do të veprojnë nga një ndërtesë e re, të cilën Forcat Ajrore Amerikane po e ndërtojnë me 100 milionë dollarë, në bazën ekzistuese të Agadezit, Niger.

Deri tani dronët janë mbajtur në kryeqytetin e Nigerit dhe janë përdorur vetëm për të mbledhur informacion rreth grupeve militante që veprojnë në rajon.

Por pas një sulmi që ndodhi nëntorin e kaluar, që çoi në vrasjen e katër ushtarëve amerikanë dhe të pesë militantëve vendas, qeveria e Nigerit i kërkoi SHBA-ve të vënë në veprim dronë të armatosur kundër grupeve xhihadiste.

Pusia në Tongo Tongo hodhi dritë mbi një çështje që merr shumë pak vëmendje nga publiku në SHBA e tjetërkund, një luftë që Amerika e vazhdon prej disa kohësh në zonën Sahel të Afrikës, kunëdr grupeve militante të mbështetura nga IS në Iraq dhe Siri.

Po ashtu, solli edhe inspektime të mëtejshme për projektin e Agadezit, duke treguar zgjerimin e heshtur që ka marrë ushtria amerikane në kontinentin afrikan.

“Dyshoj se ka lidhje me grupet terroriste në Sahel, të cilat nuk duket se mund të mposhten tani afër”, tha Xhoshua Meservej, një analist politik te Heritage Foundation, i cili citon grupe si IS, Al Kaeada, Maghreb, Boko Haram e të tjerë.

“Kanë kryer sulme të shumta të nivelit të lartë, dhe janë kthyer në rrezik shqetësues”, shton ai.

Dhuna përqendrohet kryesisht në zonën e paqëndrueshme të jugperëndimit të Nigerit. Duke qenë një nga vendet më të varfra në Afrikë, Nigeri i ka të gjitha elementet për të pasur dhunë dhe paqëndrueshmëri, që nga problemet ekonomike e deri te tregtia e armëve, drogës, trafikut njerëzor dhe kalimit të paligjshëm të kufijve të brishtë që i ndajnë nga fqinjët, si Mali dhe Libia.

Ushtria franceze është gjithashtu shumë e përfshirë, pasi ka zbarkuar me mijëra trupa në të gjithë Afrikën e Perëndimit për të luftuar militantët islamikë.

Pentagoni këmbëngul se trupat amerikane nuk kanë ndonjë mision për luftim të drejtpërdrejtë në Niger. Personeli prej 800 vetash që kanë atje përfshin trupat speciale të cilat trajnojnë forcat e Nigerit për të kryer sulme anti-terrori si dhe që të mbrohen nga pusitë e mundshme.

Por vdekja e katër ushtarëve amerikanë në Tongo Tongo ngriti shumë shqetësime. Gjenerali Tomas Ualdhauzer, që drejton komandën e SHBA-ve në Afrikë, tha se ushtarët e vrarë kishin qenë duke luajtur një rol mbështetës për forcat e Nigerit, në një mision kundër xhihadistëve, dhe nuk kishin pasur si qëllim të angazhoheshin në shkëmbim të drejtpërdrejtë zjarri.

“Arsyeja e vërtetë se pse armiku e realizoi sulmin në Tongo-Tongo ishte efekti surprizë dhe epërsia në numra, me raportin 1 me 3”, tha Major Gjeneral Roxher L. Cloutier Jr, i cili në atë kohë ishte Shef Shtabi, dhe tani komandon Ushtrinë Amerikane në Afrikë. “Patëm disa procese përmirësimi për të gjitha nivelet e zinxhirit të komandës”, shton ai.

Agadezi do të jetë vendi i dytë prej ku SHBA-të dërgojnë dronë në Afrikë. Dronët e stacionuar në Xhibuti përdoren për sulme në Jemen dhe Somali, ndërsa dronët që përdoren në Libi nisen nga Sicilia.

SHBA-të ka nisur dronë edhe nga bazat e Tunizisë dhe Kamerunit. Meserveji tha se angazhimi i dronëve të armatosur në Agadez do t’i forcojë më shumë operacionet në rajon. Plani për këtë bazë ajrore ka nisur që në vitin 2014, dhe ndërtimi pritet të përfundojë nga fundi i këtij viti.

Këto ngjarje koincidojnë me thirrjet brenda Pentagonit për të tërhequr trupa nga zona. Pas sulmit të Tongo-Tongos, Ualderhauseri propozoi të tërhiqen me qindra trupa. Kohët e fundit, Neë York Times raportoi se Departamenti i Mbrojtjes planifikon ta përshpejtojë procesin e tërheqjes e t’i zëvendësojnë me dronë.

“Kjo e ka bërë Pentagonin të ndryshojë qëndrim për trupat speciale në zonë”, thotë Meservej. “Dronët lënë më pak gjurmë, janë më të lehtë për t’u komanduar dhe nuk tërheqin shumë vëmendje”.

Majori Karl Uiest, zëdhënës për Africom, tha për Foreign Policy se Pentagoni po rishikon operacionet e ndryshme nëpër botë, që të përshtaten me strategjinë e re të mbrojtjes, që do të thotë angazhim më të vogël me antiterrorin, dhe përqendrim më të madh ndaj kërcënimeve që shfaqen nga Rusia dhe Kina.

Por ai tha se Pentagoni nuk kaë drejtuar ende ndonjë komandat luftarake për të ndihmuar forcat në zonë. Pyetja kyçe mbetet nëse dronët e armatosur do t’i ndihmojnë SHBA-të të mbajnë zonat që kanë fituar kundër militantëve, ndërkohë që trupat vazhdojnë të tërhiqen, dhe nëse do të prishet ekuilibri i brishtë politik në rajon. Këto pyetje i ngre Alice Hunt Friend, bashkëpunëtore e lartë në programin ndërkombëtar të sigurisë te Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike.

LARA SELIGMAN

Foreign Policy

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU