“Vetëvrasja e Hënës” përmes Letërsisë Fantastike

Nga Ben Andoni

Autorja e ka filluar si një tregim atë që e bëri roman më vonë. Tregimi “Vetëvrasja e Hënës” iu dedikua një konkursi për letërsinë fantastike tek “Mehr Licht”, por më pas autorja ka vendosur ta shtrijë në kufijtë e një romani. E ka mbajtur shumë në dorë dhe ndoshta lexuesi e kupton përpjekjen e znj. Papleka, nga moria e ideve të hedhura dhe kërkimi i thellë disaplanësh në roman.

papleka

Duket një sfidë, me të cilën ajo e ka ndërtuar të gjithë idenë e saj deri në fund, pasi kjo lloj letërsie (fantastike) të përball një vështirësi të madhe. Kjo ka të bëjë me kohën letrare, me kadencën e pandryshuar të idesë së fantazisë dhe përpjekjen që të mos shkasësh edhe njëherë të vetme. Nëse e humbet edhe për një dekik të vetëm ekuilibrin atëherë me patjetër dije se e ke braktisur zhanrin. Dhe, letërsia fantastike s’ka vetëm tisin e tillë, por e gjithë kompozita është e tillë. Në rastin tonë, personazhi i romanit tonë Verina bën një dialog të stërgjatur me Hënën, ku përmes një  trajtimi të kujdesshëm na shpaloset e gjithë fabula e një rrëfimi metafizik me kanone të fantastikes. Duhet sqaruar se autorja ka bërë shumë punë për të shpalosur dhe idenë e vet për jetën duke e humanizuar deri në njëjtësi Hënën.

“Hëna ishte kredhur në të kaluarën e saj dhe papritmas foli. Unë po e kuptoja mirë humbëtirën e jetës sime. E kapa sërish fillin e rrëfimit:

-Në dashuri mendon se e ke prekur parajsën. Ah, o natyrë! Sa tronditëse, vezulluese dhe e mrekullueshme ishte! Madhështia dhe mizoria janë cilësitë e dashurisë së madhe. Si ndjenjë e thellë dashuria kërkon vetminë, prandaj mua më mjaftonte vetvetja. Dashuria jonë nisi me vështrime të druajtura. Herë të drejtpërdrejta e herë të fshehta e lozonjare, ato vështrime qenë të çiltëra e përplot dhembshuri! Vështrime të ndritura! Fjalë të pathëna, që i drejtoheshin  vetëm zemrës! Një ditë ashtu pa kuptuar na zuri muzgu bashkë. U ndodhëm përballë njëri-tjetrit me shpirtra  të dehur. Zemrat na rrihnin fort. Ishte gëzim dhe vuajtje njëherësh. Kështu ndodhi që dashuria na mori përdore dhe ne u gjendëm të ulur poshtë një trëndafili. Kur u puthëm tërë bota rreth e përqark kishte vdekur. Ne ishim zotërit e plotfuqishëm të saj. U ndamë mes te puthurave, por mua m’u mbushën sytë me lot”.

Dhe, paskëtaj, vetë dialogu i autores: “Ti s’ke ndjenja. Je trup qiellor. Ke lindur për të ndriçuar të tjerët! Nën dritën tënde dashurojmë ne njerëzit e tokës!”

Në fakt, teorikisht letërsia fantastike është konstrukti i punës që fut motive, tema dhe stilistikë që i shkon llojit fantastik, sipas literaturës. Për të vlerësuar autoren tonë, duhet të kujtojmë e theksojmë se në letërsinë fantastike është punuar pak në botë, vetëm se pas viteve ’60 të shekullit të shkuar mori shumë zhvillim si zhanër me përhapjen dhe forcën e televizorit. Që do të thotë më shumë forma fantastike filmash, programe televizioni, novela grafike, vidiogame, muzikë  dhe të tjerë. Autoren është vështirë ta gjykosh, siç mund të bëjë kushdo në mënyrën e parjes nga sipër, pasi kujtdo duhet t’i kujtohet se: ky zhanër është shumë eksperimental. Fantazia dallohet nga format e tjera nga stili dhe liria e shprehjes, ku autori duhet të ketë aftësinë të përdorë elementin e fantastikes kudo, dhe jo rrallë autorët në veprat klasike të fantazisë synojnë deri ridimensionimin e botës.

Jo më kot, edhe në këtë vepër lexuesi e shikon një përpjekje nga autorja jonë që merret shumë me aspekte të dashurisë dhe filozofinë e moralit. Ndoshta e vetmja gjë është se disa herë, për shkak edhe të vështirësisë së madhe të punës, asaj i rrëshqet pak dhe kthehet si fabul realiste me mini-subjektet e veta. Kjo mbase edhe nga përpjekja shumë vjeçare e saj që tregimin duhej ta bënte roman.

Gjithsesi, mund të quhet një punë e lavdërueshme edhe pse ka kaluar në një terren që duhet thënë se është shumë i vështirë dhe jo fusha e saj. Mbase do t’i duhej ta ruante të gjithë kadencën e plotë të fantastikes edhe në detaje, por edhe ta shkrifte veprën dhe t’ia hiqte disa gjëra.

Ajo ka zgjedhur për realizimin e detyrës së saj botën psikologjike, një botë që asaj i shkon dhe që i është kushtuar me punën e saj përmes krijimeve, përkthimeve dhe veçanërisht monografive.

Feride Papleka është një nga krijueset shqiptare me më shumë reputacion. Fushështrirja e veprës së saj vjen nga letërsia për fëmijë dhe shkon në letërsinë për të rritur, monografitë dhe shumë përkthime. Kjo përpjekje e saj në letërsinë fantastike duhet vlerësuar ndoshta edhe pse është bërë në një vend që kjo letërsi është gati krejt e pakultivuar…

Titulli: “Vetëvrasja e Hënës”

Autor: Feride Papleka

Gjinia: Roman

Botimet: ERIK

Çmimi: 500Lek

Faqe: 240

feride koperttina

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU