Vendimi i Trump, Mazen kundër; Netanyahu: Akt historik

U.S. President Donald Trump makes remarks to the media as he attends the 12th East Asia Summit in Manila, Philippines November 14, 2017. REUTERS/Jonathan Ernst

Vendimi i Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit ka sjellë dhe reagimet e para nga rajoni i Lindjes së Mesme. Presidenti palestinez Abu Mazen ka deklaruar se ka urdhëruar delegacionin diplomatik palestinez që të braktisë Uashingtonin dhe të kthehet në vend.

“Jeruzalemi është kryeqyteti i përhershëm i shtetit të Palestinës”, ka deklaruar Mazen, i cili ka akuzuar Trump se i ka ofruar Izraelit një çmim të pamerituar, për faktin se sipas tij ky vend “i shkel të gjitha rregullat”.

“Vendimi i sotëm i Trump do të thotë se SHBA heqin dorë nga roli i ndërmjetëses së paqes. Gjithashtu, fjalimi i tij bie ndesh me rezolutat ndërkombëtare për Jeruzalemin”, ka shtuar Mazen.

Ndërkohë, kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu ka reaguar me superlativa ndaj vendimit të Trump. “Është një gur ushtarak, një vendim historik, një akt i drejtë dhe kurajoz”, ka deklaruar Netanyahu.

Ajo që vihet re në reagime është se ato negative janë më të shumta. I tillë ka qenë ai i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres. “Që nga dita ime e parë në detyrë jam shprehur vazhdimisht kundër çdo mase të njëanshme që vë në rrezik perspektivën e paqes”, ka deklaruar Guterres.

Reagimi më i hidhur ka qenë ai i lëvizjes islamike të Hamasit, e cila ka shpërndarë një komunikatë për shtyp menjëherë pas vendimit të presidentit amerikan. “Me njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, Donald Trump ka hapur dyert e ferrit”, thuhet në një komunikatë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU