Vendimi me kriteret e reja, si përfitohet KEMP nga personat me aftësi të kufizuara

Qeveria ka vendosur që të ndryshojë kriteret e përfitimit për disa njësi administrative në Tiranë.

Në kuadër të projektit pilot është vendosur që për njësinë administrative 6 dhe 7 të zabtohen kritere dhe procedura të reja. Në vlerësimin bio-psiko-social të aftësisë së kufizuar që do të pilotohet në njësitë administrative në Tiranë, nëpërmjet përdorimit të Regjistrit Elektronik Kombëtar do të përfshihen: individët që kërkojnë të vlerësohen për herë të pare, individët që kërkojnë të rivlerësohen, të cilët kanë përfituar pagesë të aftësisë së kufizuar sipas legjislacionit në fuqi.

Personi i cili plotëson kriteret ka të drejtën ti drejtohet për vlerësim komisionit shumëdisiplinor të vlerësimit të aftësisë të kufizuar. Çdo individ i cili pretendon të vlerësohet për aftësi të kufizuar nga komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar duhet të paraqitet pranë strukturave shëndetësore për të kryer vizitë mjekësore dhe ekzaminimet e nevojshme, fillimisht pranë mjekut të familjes dhe më pas referohet pranë mjekut specialist.

Individi që kërkon të vlerësohet për aftësi të kufizuar apo kujdestari i tij ligjor, dorëzon pranë Komisionit Shumëdisiplinor dokumentacionin e mëposhtëm:

a) formularin e plotësuar nga mjeku i familjes;

b) formularin e plotësuar nga mjeku specialist;

c) formularin e aplikimit të plotësuar nga vetë individi apo kujdestari i tij ligjor, për vlerësimin e përcaktimit të aftësisë së kufizuar;

ç) ekzaminimet mjekësore;

d) kopjen e kartës së identitetit.

Rastet e veçanta

Individi duhet të paraqitet pranë komisionit shumëdisiplinor të vlerësimit të aftësisë së kufizuar për të kryer intervistën në datën dhe orën e përcaktuar nga ky komision. Për rastet kur mos-paraqitja ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme si shëndetësore apo fatkeqësi, data e intervistës do të përcaktohet në afatin më të afërt por jo më shumë se 30 ditë nga dita që është provuar shkaku i mosparaqitjes.

Aplikuesi ka të drejtë ta kërkojë zhvillimin e intervistës në adresën e banimit të tij në rastet kur është e pamundur fizikisht kryerja e vlerësimit në ambientet ku zhvillon veprimtarinë komisioni, për shkak të një dëmtimi të rëndë ose të thellë që e bën të pamundur paraqitjen e tij pranë komisionit ose për shkak të barierrave. Për intervistën në banesë, personi duhet të pajiset me rekomandimin e mjekut të familjes, ose të mjekut specialist. Anëtarët e familjes nuk duhet të jenë të pranishëm gjatë zhvillimit të intervistës, përveç rasteve të kujdestarisë ligjore.

Komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar, në prani të individit dhe/ose kujdestarit të tij ligjor sipas përcaktimeve të Kodit të Familjes, kryen intervistën dhe hedh të dhënat në Regjistrin Elektronik Kombëtar për vlerësimin dhe përcaktimin e aftësisë së kufizuar sipas formularit nr. 4 bashkëlidhur këtij udhëzimi dhe të dhënat për vlerësimin dhe përcaktimin e nevojës për ndihmësin personal.

Gjatë intervistës, aplikuesi i përgjigjet pyetjeve mbi kufizimet funksionale që e pengojnë në ushtrimin e veprimtarive të jetesës së përditshme dhe pjesëmarrjen në jetën sociale, ekonomike, politike, si edhe barierrat mjedisore e faktorët lehtësues.

“Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, bëhet 10.140 lekë në muaj. Këtë pagesë e përfitojnë : Personat, të cilëve u është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikiko/mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje, të përkohshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe, që lidhen me punësimin, e vërtetuar kjo nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), përfitojnë pagesë për shkak të aftësisë së kufizuar. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i personit me aftësi të kufizuar”, – thuhet në vendimin e qeverisë.

Dokumentat

Personat, që kërkojnë të komisionohen për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, duhet të paraqesin në seksionet e ndihmës dhe të përkujdesjes shoqërore të bashkisë/komunës, dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Certifikatën e gjendjes familjare;

b) Certifikatën personale me fotografi;

c) Vendimin e mëparshëm të KMCAP-it, i cili vërteton shkallën e aftësisë së kufizuar të personit;

ç) Fletëdrejtimin për në KMCAP, kur personi komisionohet për herë të parë;

d) Epikrizën përcjellëse, sa herë rikomisionohet.

Kur personi me aftësi të kufizuara, i cili, me vendim të komisionit mjekësor, përcaktohet se ka nevojë për përkujdesje, duhet të paraqesë edhe këto dokumente shtesë:

a) Certifikatën personale, me fotografi, të personit kujdestar;

b) Deklaratën/vendimin gjyqësor, për kujdestarin e zgjedhur nga personi me aftësi të kufizuara;

c) Raportin mjeko-ligjor, që vërteton se kujdestari është i aftë, fizikisht dhe mendërisht.

Personat me aftësi të kufizuara, të cilët ndjekin shkollën e mesme apo shkollën e lartë, me apo pa shkëputje nga puna, duhet të paraqesin edhe dokumentet e mëposhtme: a) Vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës, ku të shënohen:

i) Emri i personit që ndjek shkollën;

ii) Lloji i arsimit që ndjek, ku përcaktohet, nëse është cikël shkollor, normal ose i përsëritur;

iii) Vitin shkollor.

b) Vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës për frekuentimin e shkollës nga personi përfitues (çdo tre muaj).

c) Kopjen e noterizuar të dëftesës shkollore të çdo viti dhe kopjen e noterizuar të diplomës në mbarim të shkollës së mesme apo të lartë, si dhe kopje të dëshmive të kurseve kualifikimit.

ç) Vërtetimin se ka shlyer detyrimet për çdo sezon, për shkollën e lartë, pa shkëputje nga puna.

Personat me aftësi të kufizuara, të cilët vazhdojnë studimet pasuniversitare, duhet të paraqesin edhe dokumentet e mëposhtme:

a) Vërtetimin nga institucioni ku vazhdon studimet pasuniversitare, në të cilin të jenë përcaktuar emri i personit, lloji i studimit dhe kohëzgjatja.

b) Vërtetimin nga titullari i institucionit, për frekuentimin e studimeve. Kur studimet zgjasin me shumë se 6 muaj, vërtetimi duhet të paraqitet një herë në tre muaj.

c) Kopjen e noterizuar të diplomës apo të dëshmisë së përfundimit të studimeve pasuniversitare ose të mbrojtjes së gradës shkencore.

Procedura

Personat me aftësi të kufizuara, ditën e komisionimit, i dorëzojnë KMCAP-it certitfikatën në fotografi dhe epikrizën përcjellëse ose fletëdrejtimin për në këto komisione. shoqëror i bashkisë, çdo muaj, dërgon, me procesverbal, pranë mjekut të drejtorisë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, listën e personave, që do të paraqiten a riparaqiten pranë KMCAP-it, së bashku me dokumentacionin përkatës dhe njofton personat për datën e paraqitjes pranë këtyre komisioneve.

Mjeku verifikon nëse dosjet e paraqitura janë të plotësuara me dokumentacionin përkatës dhe, më pas, i përcjell ato në KMCAP. Drejtoritë rajonale të sigurimeve shoqërore, në përfundim të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, për personat aplikues, nga KMCAP-i dërgojnë në drejtoritë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror listat e personave të deklaruar me aftësi të kufizuara, si dhe një kopje të vendimit të KMCAP-it për çdo person.

Mjeku rajonal i Shërbimit Social Shtetëror harton regjistrin e personave me aftësi të kufizuara, të vlerësuar nga KMCAP-i dhe dërgon, në çdo bashki, listën e personave dhe vendimin e KMCAP-it për secilin person. /b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU