Rikonstruksion i shkollave, kopshteve, i terreneve sportive, si dhe ndërtimi i një shkolle të re 9-vjeçare, ishin premtimet e kandidatit të koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, për banorët e Njësisë nr.8.
Ai tha se 4 vitet e fundit ishin të shëmtuara jo vetëm për Tiranën, por ishin zhgënjyese edhe për Njësinë 8, ku ka lindur e jetuar kryebashkiaku aktual i kryeqytetit, Basha.
“Meqë isha te njësia e Dr. Halimit, të cilën e kanë lënë të shkatërrohet këto 4 vite, isha kurioz për njësinë nr. 8, duke qenë se është njësia e Lulit. Nuk ishte aq keq sa mendoja, por ishte edhe më keq. Ky është turp”, deklaroi Veliaj. Në këtë takim, kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës shtroi pyetjen se kur dikush është i paaftë të rregullojë lagjen e tij, për çfarë u duhen edhe 4 vite të tjera?
Veliaj tha se pajtohet me kandidatin e djathtë për faktin se Tirana është kthyer në një makth.
“Po doktor, këtë po themi edhe ne, që Tirana është bërë makth. E dëgjova doktorin tek po u thoshte qytetarëve se aq shumë ndërtime ka, sa s’ka ku të kalojë zjarrfikësja. Po doktor, është e vërtetë, në njësinë 5 mezi kalonte zjarrfikësja”, deklaroi Veliaj.
Ndaj, ai theksoi se do të flasë për një program konkret për Njësinë 8, se njerëzit janë të lodhur duke dëgjuar përrallat e tramit dhe duan një forcë politike që dallon nga 5 kandidatët e tjerë.
“Në njësinë 8 kemi identifikuar 143 probleme që ndahen në këto kategori: E para, rrugët dhe infrastruktura e degraduar; e dyta, legalizimet dhe urbanizimi; e treta, mungesa e shkollave, kopshteve dhe e çerdheve; e katërta, zhvillimi i pronës”, u shpreh Veliaj.