Ne kemi një plan konkret, specifik e të detajuar për çdo lagje e rrugë të Tiranës, në qytet dhe në fshat. Kështu u shpreh sot nga Kashari, Erion Veliaj, kandidat i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, i cili prezantoi programin e tij me pika konkrete për Kasharin, Ndroqin dhe Vaqarrin. Duke vënë në dukje faktin se në rrethinat e Tiranës njerëzit e kanë mendjen se si të shtojnë prodhimin e tyre, ku ta shesin atë, si të zgjerojnë fermën apo kur do të shtrohen rrugët, Veliaj deklaroi se këto zgjedhje janë për temat që diskutohen në tavolinën e bukës.
“Për ne, 1 milion banorët e Tiranës nuk janë 1 milion probleme, por janë 1 milion mundësi për t’i shërbyer njerëzve me dinjitet. Janë 1 milionë ëndrra, një milion punëtorë që duan ta shikojnë këtë qytet të shkojë në drejtimin e duhur dhe jo kundravajtje”, tha Veliaj në fjalën e tij. Ai u shpreh se sot Tirana është si në Afrikë. “Fushata tjetër është një fushatë me barsaleta. Saliu ka nxjerrë 5 kandidatë që të tregojnë barsaleta dhe flasin në përgjithësi. Ne nuk jemi këtu që të flasim në përgjithësi, por që të flasim në veçanti për çdo komunë, për çdo fshat dhe për çdo njeri që ka nevojë në bashkinë e re të Tiranës”, deklaroi Veliaj.
Duke u fokusuar te problemet kryesore të Kasharit, ai veçoi çështjen e legalizimeve, hipotekat, furnizimi me ujë dhe probleme me kanalet kulluese e vaditëse. “Ne zotohemi që bashkia e re do të bashkëpunojë 100% qind të kohës me ekipin e ALUIZNI-t, për të dhënë lejet e legalizimit në një kohë të shkurtër”, tha Veliaj. Ai u zotua se edhe legalizimett, edhe hipotekat në Kashar do të mbyllen shumë shpejt.
Lidhur me Ndroqin, Veliaj tha se zona ka dy probleme të mëdha: ujin e pijshëm dhe legalizimet e hipotekat. “Është e pafalshme që në vitin 2015 diskutojmë për ujin e pijshëm. Do të bëjmë që ujësjellës-kanalizimet e Tiranës të vihen në dispozicion të të gjithë banorëve sepse ne nuk besojmë te diferencimi i qytetarëve. Të gjithë duhet të kenë të njëjtat shërbime”, tha Veliaj.
Nga ana tjetër, për Vaqarrin ai premtoi investime në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës, si dhe më shumë vëmendje ndaj furnizimit me ujë dhe rehabilitimin e sistemit vaditës.
Programi për Kasharin:
1. Mbulimi i Kasharit me linja Transporti Publik;
2. Ndërtojmë Parkun e Liqenit të Kasharit;
3. Furnizim me ujë të pijshëm në fshatrat Yzberisht, Mëzez-Kodër, Mëzez-Fushë, Katund i Ri, Yrshek dhe Mazrekë;
4. Ndërtojmë urën e përroit në Mazrekë;
5. Rehabilitojmë kanalin vaditës Kus-Mazrekë-Kashar;
6. Investojmë në rikualifikimin urban të qendrës së Kasharit në Katund të Ri;
7. Hapim rrugën Kashar-Kus-Allgjatë;
8. Pastrojmë Lumin e Lanës në Mëzez-Kodër;
9. Rehabilitojmë fushën e futbollit në Mëzez;
10. Ndërtojmë shkollë të re për zonën Yzberisht-Unazë e Re;
11. Pastrojmë kanalin e ujërave të zeza tek Lagjja e Re në Mëzez-Kodër.
Programi për Ndroqin:
1. Ndërtojmë urën e Menikut;
2. Sistemojmë rrugët e brendshme në Vaqarr;
3. Rehabilitojmë rrugën e varrezave në Lagje e Re;
4. Ndërtojmë 2 rrugë në fshatin Zhurje;
5. Hapja e aksit lidhës në rrugën Pinet-Sauqet-Mëzes-Kus;
6. Ndërtojmë rrugën e shkollës në lagjen Ura e Beshirit.
Programi për Vaqarrin:
1. Ndërtojmë Parkun e Vaqarrit;
2. Mbulojmë gjithë zonën me transport publik cilësor;
3. Rehabilitojmë sistemin vaditës Vishje-Arbanë-Bulticë-Damian;
4. Ndërtojmë rrugën Gropaj-Allgjatë;
5. Hapja e aksit që lidh rrugën Gropaj-Allgjatë me Kusin në Kashar;
6. Furnizim me ujë të pijshëm për fshatrat Arbanë dhe Bulticë.