Veliaj bind aktorët: Gati të nisim negociatat për ndërtimin e Teatrit të ri!

Arrihet marrëveshja me artistët për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar. Pas një negociate mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe komunitetit të artistëve, të përfaqësuar nga regjisori Altin Basha, aktorët Alfred Trebicka dhe Arben Derhemi, u mundësua dakordësimi për të ndërtuar një godinë të re moderne të Teatrit Kombëtar, në tokën ku ndodhet sot.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi të gjithë aktorët në këtë proces, duke filluar nga artistët, arkitektët e të gjitha institucionet e specializuara që kanë dhënë kontribut në këtë proces, ndërsa theksoi se falë vullnetit dhe dëshirës për të dëgjuar njëri-tjetrin, sot është rënë dakord që Shqipëria të ketë një Teatër të ri Kombëtar.

“Dua të falenderoj sot publikisht të gjithë komunitetin e artistëve, sindikatat, qytetarët, protestuesit, arkitektët, urbanistët, zjarrfikësit, të gjithë ata që kanë dhënë një dorë, disa në mënyrë më intensive, disa sporadike, por të gjithë që kanë dhënë një dorë që të gjejmë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë Tiranës një teatër të ri, modern, në tokën ku është teatri sot. Kjo nuk ka qenë një negociatë e lehtë. Në fillim fare filluam nga ekstreme, nga qëndrime shumë të ndryshme, por me sa duket ku ka vullnet, ku ka dëshirë, ka një rrugëzgjidhje. Dua t’i falënderoj publikisht jo vetëm të dyja sindikatat, të gjithë faktorët që insistuan që ky projekt të bëhej më i mirë”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Më tej, ai shtoi se është rënë dakord që në ligj të jepen garancitë e duhura për artistët që Teatri i Kombëtar do të jetë në sipërfaqen ku ajo ekziston edhe sot, me një godinë të vetme dhe që mbi të gjitha, që do të bëhet pa shpenzime të fondeve publike. “Projekti që kemi sot është më i mirë. Nuk është ndoshta projekti perfekt, por tashmë e kemi të sanksionuar në ligjin që do të negociojë teatrin e ri, se prona e teatrit nuk preket, që e negocion teatrin e ri si një ndërtesë monovolum, pa kulla sipër, dhe që e negocion këtë teatër të ri me çelësa në dorë, me para të privatit, që edhe kushdo shqetësohet pse po harxhojmë për artin kur s’kemi bukë për të ngrënë, që edhe kjo s’është e vërtetë, të mos e ketë këtë shqetësim sepse nuk do të taksohet njeri për këtë propozim”, shtoi Veliaj.

Në emër të komunitetit të artistëve, regjisori Altin Basha përshëndeti këtë hap të parë konsensual, ndërsa theksoi se bisedimet do të vijojnë edhe më tej për të finalizuar një marrëveshje të plotë. “Kemi rënë dakord për një fazë të parë. Mbeten akoma disa çështje për t’i diskutuar, kemi marrë garanci që ato do të sqarohen në proces e sipër. Shumë shpejt do të kemi një dëgjesë tjetër në formën e një debati për disa çështje të cilat akoma na kanë mbetur të papërfunduara. Mendojmë se në këtë proces kemi gjetur disa pika të cilat kanë qenë të rëndësishme për ne, për të qenë prezent në ligj. Po themi edhe një herë, është një fazë e parë, procesi sapo ka nisur dhe sigurisht që mbetemi ende në komunikim për detajet të mëtejshme”, tha Altin Basha.

Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj tha se pjesë e këtij dakordësimi është edhe përcaktimi që në grupin e punës që do të negociojë për projektin dhe ndërtimin e teatrit të ri, të ketë edhe një përfaqësi të artistëve. “Kemi sanksionuar në këtë ligj, në dallim nga të gjitha institucionet e tjera që përfaqësohen vetëm me një anëtar, ne do të kemi dy anëtarë që përfaqësojnë komunitetin e artistëve dhe të aktorëve. Duke i pasur të përfaqësuar besoj se ky projekt fillestar u bë më i mirë falë pranisë edhe kritikave të tyre, besoj që edhe produkti final me këto dy vende që presim të na i propozojë komuniteti artistik, që nuk janë vende spaletash as vende luksi, është një punë rigoroze e një shqyrtim dokumentacioni dhe një negociatë e fortë që do të duhet të bëjmë si me arkitektët, ashtu edhe me investitorët, që të arrijmë një produkt po aq dinjitoz sa ky produkt fillestar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se ky projektligji i paraqitur është vetëm fillimi i diskutimeve teknike që do të vazhdojnë për të përmirësuar draftin deri në finalizimin e gjithë këtij diskutimi me një teatër të ri. “Sigurisht është shumë e rëndësishme të kujtojmë se ky është vetëm hapi i parë. Do të vazhdojë një negociatë dhe do të kemi edhe debate të tjera se si ky proces mund të bëhet akoma edhe më i mirë. Ndaj, dua sot të përshëndes këtë hap të parë, të falënderoj miqtë e mi që edhe mua më emancipuan, edhe më mësuan, se si mundet t’i bëjmë ca gjëra akoma edhe më të mira, se i kishim menduar në fillim. Besoj sot pasi janë plotësuar këto kërkesa kemi arritur në një produkt ku ndoshta jo 100 %, por shumica, i sheh aspiratat e veta për art, për kulturë edhe për një teatër dinjitoz në Tiranë të plotësuara, si hapja e një negociate. Ky nuk është një ligj që e finalizon, ky është vetëm një ligj që e fillon këtë bisedë në mënyrë zyrtare”, theksoi kryetari i bashkisë.

Javanews.a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU