Vallë roman për paranojën e kohës!

boleroNga Ben Andoni

-Ç’lloj romani është ky? Si mund të shkruash një roman, ku nuk ndodh asgjë?

-Si asgjë? Gjithçka mund të ndodhë.

Dëgjoni, tha ajo duke u përpjekur të duket sa më bindëse. Nuk ka roman që nuk tregon. Mbase ka një premtim të zbehtë për romanin këtu. Mungojnë personazhet, fabula, kompozicioni…

Nuk jam i sigurt nëse e kam ndërtuar mirë pjesëzën nga fabula e fillimit, por romani “Bolero” i Ardian Vehbiut është një vrasës, që të bën “të ndërrosh” udhë. Me pak fjalë, mos e merr në dorë, nëse do të shikosh përfundime dhe sinteza, apo do të analizosh personazhe. Anipse, edhe në këtë kinse-kaos, ka një hartë të precizuar mirë, që është linja e subjektit, me mungesë narrative të autorit. Është si një thirrje paranoje, që individi do t’i shmanget të përditshmes, të pritshmes, por ajo e ndjek kudo dhe madje kudo që ai ikën i del përpara. Të ketë lidhje me 11 shtatorin? Për autorin, kur bëri prezantimin, kjo ngjarje që ndryshoi fatet e botës, kishte ndikuar në të gjithë shkrimin e kësaj vepre, që ne mund të shtojmë se mund ta shijosh shumë më ndryshe nëse lexon Italo Kalvinon. Kuptohet se autori jonë ka përvojë modeste në këtë gjini.

Ka disa mini-rrëfime brënda “Boleros”, që ndërthuren dhe ritmi i veprës mbahet në disa kohë. Personalisht shikoj atë që ai fut si thirrje dhe që përbëjnë në vepër koeficientet konvencionalë të sigurisë. Atje kthjellohesh dhe vjen në realitet. Ka disi një përpjekje të shkollës së Xhojsit, dhe personazhe që ndërthuren me një narrator të fshehur, që dikton me anë të veprimit.

Është pak i vështirë për t’u perceptuar sepse publikut i mungon ai ritëm, që vetë autori e ka përditë të jetuar në vendin e madh dhe që lidhet me pulsimin e jashtëzakontë të qytetit milionësh. Vehbiu që mëton se e ka mbajtur për vite të tëra këtë libër dhe që e besojmë prej cilësisë, ka arritur ta transformojë në këtë formë, që është përjetuar nga subjekti i tij.

Në një farë mënyre, ky është perceptimi i sotëm real në kohët tona moderne, por që si subjekt nëse do të vendosej në Shqipëri do t’i duheshin elementë të tjerë, sepse ky është një libër amerikan i shkruar shqip. Në një farë mënyrë, përmes shtjellës, ai ndalon në ato kanone që kanë të bëjnë me rregullin, pasigurinë, udhëtimin dhe një element që i ngjan vetë Godosë.

Për fat, libri është shkruar me një shqipe të pastër dhe kjo e lehtëson gjuhën që duhet të themi se e bën të gjithën grishëse, anipse gjuha e botës së sotme është futur në një kaos, që edhe prej këtyre rregullave, tek e fundit, e bëjnë botën të pasigurtë.

Nuk besoj se libri nuk ka një strukturë. E ka një të tillë jo aq të rregullt, por që autorit, qoftë dhe me skicat modeste të bën të jetosh në një areal të vogël, por që jep shumë. Mundesh të ishte pak më i kontrolluar në caqet e tij, që do të thotë se mundej t’i jepte mundësi lexuesit ta ndiqte më shumë, por gjithsesi forma interesante e këtij lloj rrëfimi të bën të kuptosh se Ardian Vehbiu në këtë libër ka shkruar thjesht për vete. Për publikun ka lënë përzierjen e zhanreve, me zhanret policorë, paranojën e tij dhe të themi ngutjen. Nuk i shkon shumë zhanrit të aksionit, por ai përpiqet sipas mënyrës së vet. Ti që e lexon merr frymë, kur e kap personazhin në momente të ndryshme brenda një kohë që lëviz dhe nuk lëviz. Shumë interesante përdorimi i kohës.

Romani është për një publik që di të lexojë, edhe pse libri është shkruar thjesht për vete. Romanin mund ta lexosh disi në sensin e shikimit të një filmi pa zë, nga ato të cilat kanë të njëjtësuar turmën. Sepse bota e sotme ka shkuar sërish në një farë mënyre në etapat e kaluara dhe Globalizmi e ka bërë njeriun që të jetë një numëror.

E përsërisim se Vehbiu e ka zgjidhur mirë fabulën në qerthullin e vet që kap një areal të vogël, kur personazhet tona hasen me të njëjtat tabela dhe janë të adresuar me të njëjtat shenja. Është ankthi i kohës që këtu e has direkt. Të gjithë janë sërish të kërcënuar sepse diçka do të ndodhë. E gjithë bota është në një diktat të padukshëm, që e bën turmën të lëvizë si makinë. Metroja e disiplinon disi fabulën dhe gjithçka i shkon pushtetit autokratik. Romanin e ndjek për aksionin dhe rrëfimin, por në fund dhe me telashin se ku shkon kjo çmenduri. Vetë Vehbiu vendos të mbyllë aventurën pas 224 faqeve duke ta lënë torturën në mes.

Romani është shumë interesant sa i përket formës dhe nuk dimë se ku mund ta kategorizojmë. Ka vend për kritikën të çmpihet dhe të gjykojë për risinë e tij, por pa e glorifikuar ose sharë. Vetë, autori ka nevojë të rregullojë sensin e letërsisë së tij, edhe pse ky libër e bën interesant.

Titulli: Bolero

Gjinia: Roman

Autor: Ardian Vehbiu

Botues: DUDAJ

Çmimi: 800 Lekë

1 koment

PËRGJIGJU