Një deklaratë e javës së kaluar e Ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani, është bërë objekt bisede e replike mes ministrave të koalicionit qeverisës.
Manjani propozoi që edhe forcat e armatosura të jenë palë dhe aktorë në luftën kundër kanabisit, por një propozimi të tillë, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli i është përgjigjur duke e konsideruar si aspak serioze.
“Punët në demokraci janë të ndara, secili bën atë që i takon. Siguria është serioze dhe Forcat e Armatosura janë serioze dhe kur flasim për gjëra serioze, duhet të jemi të tillë” do të shprehej ministrja.
I të njëjtës linjë ka qenë edhe Ministri i Brendshëm Tahiri, i cili e ka konsideruar propozimin e Manjanit si të pasaktë.
“E mirëkuptoj vullnetin e tij pozitiv për të bërë një propozim që shkon në adresimin e këtij fenomeni, pos besoj se është i pasaktë, por hyn te propozimet e dëshirës së mirë. Jam i hapur për propozimin e çdokujt, jo më të një kolegu që sugjerimin e tij e mirëpres në çdo kohë. Puna jonë nuk bëhet nëpërmjet konferencave të shtypit por duke marrë masat e nevojshme që mund të sjellin efekt të menjëhershëm në parandalimin dhe luftimin e këtyre fenomeneve.”– do të deklaronte Tahiri.
Kryeministri Edi Rama do të shprehej shumë më shukurt sesa ministrat e tij socialistë, duke thënë se propozimi i Manjanit është thjesht një opinion, dhe jo një propozim konkret.
Pozicioneve të mësipërme, që në media madje janë konsideruar dhe si ridikulizuese të deklaratës së Manjanit, i është përjigjur Petrit Vasili i LSI, me të njëjtën gjuhë të përdorur nga Kodheli e Tahiri, duke thënë:
“Besoj se gjithmonë kur flitet për një fenomen kriminal siç është kanabisi, duhet të jemi vetëm shumë serioz dhe shumë të shqetësuar.”/java/a.k