USHTARËT E OPOZITËS

“Mashtroje armikun dhe mos u mashtro prej tij”

 

Ditët e vjeshtës të këtij viti janë plot diell dhe me shumë reshje “mediatike”, plot skandale dhe ngjarje nga më të skajshmet si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Këto ngjarje vijnë pas një vere të begatë, si nga moti i nxehtë, po ashtu edhe nga shtimi i numrit të turistëve të huaj, të cilët vizitojnë vendin tonë.

Mediat shqiptare si asnjëherë tjetër janë kthyer në “ushtarë të bindur” të një establishmenti politik për t’u bërë bllok dhe në mendim unison pa asnjë vlerë profesionale kundrejt krijimit të një situate gjoja tejet të pasigurt e kriminale. Historia e medias, që kur ajo është krijuar për qëllim informacionin, në shekullin e I-rë të e.s. në Romë me “Acta d’urna populi romani”.

Në të gjendeshin informata të reja nga jeta e shtresave të larta qytetare. Do të kalonin shekuj që të vinim te Gazetaria në kuptimin që kemi sot. Në shekullin XVI shfaqen reporterët e parë në Romë e në Venecia. Në Romë reporterët quheshin “novelanti” ose “gazetanti”. Në Venecia quheshin “scrittori d’avvisi” (shkrimtarët e të rejave). Në mediat perëndimore ka më se një shekull që vendin kryesor e zë lajmi sensacional me të papritura për vjedhje e dhunë.

Shkolla të ndryshme të informacionit, si dhe teoricienë të ndryshëm ngulmojnë në thënien se “funksioni kryesor i gazetës është informimi me të rejat e ditës”, shkruajnë se “seksi, kriminaliteti, katastrofat, fatkeqësitë, etj., tërheqin gjithmonë vëmendjen e njerëzve”. Teoricienët e gazetarisë amerikane Filip Olt dhe Edvin Imer duan ta lidhin prejardhjen e gazetarisë bashkëkohore me lajmin e transmetuar më 14 prill 1865 mbi vrasjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Linkoln, duke e vlerësuar si lajmin e parë.

Të tjerë studiues të historisë së Gazetarisë e quajnë si lajm të parë atë që është botuar më 13 Prill të vitit 1889 për mbytjen e 6 anijeve amerikane e gjermane dhe përplasjen e disa luftëanijeve të tjera në shkëmbinjtë e brigjeve të Pacifikut të Jugut gjë që shkaktoi një uragan. Ka disa përcaktime për lajmin, siç janë lajmet argëtuese me temë kryesore historitë e seksit, apo jetën e milionerëve dhe njerëzve të shquar në art, sport e politikë. Kaluam si në revistë këtë pak histori të gazetarisë botërore prej së cilës e kanë marrë modelin edhe mediat shqiptare.

Çështja nuk është tek informacioni në mediat shqiptare, as nuk qëndron te modeli i gazetarisë së saj. Të bërit informacion dhe jo shantazh politike sikur të ishim një vend i varur nga krimi dhe mafia, për t’i shërbyer një lufte politke të paprinciptë e ka katandisur gazetarin në një ushtar, i cili është futur në llogoren e një partie politike. “Letra bakalli” që tunden si të ashtuqujtura fakte të padiskutueshme nëpër televizione të ndryshme janë më tepër si lojë me fallxhorë mediatikë, të cilët i dinë edhe ëndërrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kriminelëve pa diskutim edhe dashnoren e fundit kur e kanë takuar.

Se janë mbyllur media diku andej nga viti 1994 për një foto të ish-Presidentit të asaj kohe; po edhe një numër gazete të sekuestruar për një të përjavshme erotike, se kish pozuar me dëshirën e saj një vajzë gjysmë e zhveshur; djegie të redaksisë të gazetës kryesore të vendit që sot mund edhe të jetë harruar; gjyqe si në kohën e inkuzicionit kundër gazetarëve kanë qenë pa fund; rrahje dhe përndjekje të gazetarëve dhe kjo dukuri e po asaj kohe quhej normale.

Po ja që një parti që sot është në opozitë nuk e ka historinë aq të pastër sa të ketë në krah gazetarët më me integritet moral e profesional. Shqipëria nuk është më si në kohën kur rriheshin gazetarët, aleancat fluide të partive nuk kanë arritur ta mposhtin as sot, as dje gazetarin e përkushtuar për të vërtetën dhe sot është një kontigjent tjetër gazetarësh, që nuk e kanë për gjë të përdoren e aq më tepër të bëhen zëdhënës zullumesh antishtetërore. Këtij fronti politik, i cili është në kërkim të intrigës së radhës, për të ndërtuar heroin imagjinar, pse jo dhe azilantin politik bashkë me tkurrjen e elektoratit, po i humbet edhe ndjekësi i mediave, i cili pas mbylljes së lojrave të basteve sportive do të vërë baste nëse do të futet në burgun e Reçit i pari, apo i dyti një nga politkanët e opozitës, i cili është më i vendosur në besnikërinë për kryetarin e partisë për t’u promovuar më pas si i “burgosur politik”.

Libri “Mashtroje armikun dhe mos u mashtro prej tij” me autor z.Besnik Alibali, të fton të mendosh, se ky titull ndonjërit prej këtyre “ushtarëve të medias” do t’i shkonte shumë për shtat, ndonëse ka një ndryshim të madh prej fjalës ushtar, i cili ndeshet dhëmbë për dhëmbë me armikun në mbrojtje të lirisë së atdheut. Libri të mëson si ta futësh armikun në kurth e si ta mashtrosh atë. Padyshim libri të mëson edhe si të mos mashtrohesh nga truket e kurthet e armikut. Ka faqe të tjera se si përgatiten kurthet e si veprojnë armiqtë, por për analogji, ju “ushtarë të opozitarizmit” jeni pa vizion edhe sikur të keni lexuar 1000 libra, nuk do t’u hynin në punë, sepse jeni të varur nga karrierizmi, servilizmi, paraja dhe qindra vese njerëzore ku akoma fjalori i Google nuk i deshifron.

Vazhdoni në rrugën tuaj pa krye, por Shqipërisë nuk do të arrini t’ia prishni ëndrrën europiane, shumë e keni vonuar në integrimin e saj, por vota e shqiptarëve, e drejtë dhe ndëshkuese do të vendosë edhe një herë fatin tuaj në minorancë të mjerueshme, sado që keni frymëzime nga folkloristë mediatikë me tituj që kanë dalë majë mali për t’u thënë shqiptarëve të vërtetën për revolucione e ndërkohë nuk thotë asnjë fjalë për ata që kërkojnë vetëgjyqësira e lloj-lloj fëlliqësirash që imagjinata e qytetarit të thjeshtë nuk i hamendëson, sepse ai nuk do t’ia dijë se politika krijon një klimë psikologjike të frikës e kriminalitetit dhe padrejtësisë shoqërore.

Qytetari do një punë të sigurt, një ushqim të sigurt në tavolinë, një rend të sigurt dhe një familje të bashkuar e jo të shpërndarë si zogjtë e korbit nëpër botë, pse jo dhe një plazh e mjedis të pastër ku të pushojnë si shqiptarët ashtu edhe turistët e huaj në një vend sa fisnik e bujar, por edhe të integruar në Evropë me ligje e rregulla.

Përgatiti: Kastriot Kotoni

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU