Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, njofton opinionin se revitalizimi i urës dhe heqja e barrikadës mbi urën e lumit Ibër në Mitrovicë fillon më 14 gusht 2016 dhe këtë proces do ta realizojë Bashkimi Evropian.
Me këtë rast ajo konfirmon se negociatat njëzetorëshe që u zhvilluan në Bruksel me datë 2 deri më 3 gusht 2016 sollën rezultatet dhe Bashkimi Evropian tashmë ka bërë deklaratën zyrtare e cila shpjegon të gjithë hapat praktikë dhe afatet deri në përfundimit e procesit të revitalizimit dhe heqjes së barrikadës.
“Më në fund, pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh të përfundimit të luftës në Kosovë, ura e Mitrovicës do të jetë një urë e lirë bashkuese si në gjithë botën dhe ajo do të shërbejë për lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe automjeteve ashtu siç është përcaktuar në marrëveshjen e Brukselit të datës 25 gusht 2015 nënshkruar nga kryeministrat e të dyja shteteve dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së znj. Frederika Mogherini. Heqja e barrikadës dhe hapja e urës për qarkullim të lirë e të plotë do ta bëjë urën sinonim të normalizimit të relacioneve dhe bashkëpunimit në mes të komuniteteve atje pra shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve, më këtë rast Qeveria e Kosovës po e përmbush premtimin ndaj qytetarëve të cilët gjithmonë e dëshiruan këtë urë të jetë e lirë”, thotë Tahiri, raporton Koha.net.
Ndërkaq, ndonëse ministrja Tahiri nuk ka përmendur afatin e fundit dhe kushtet për hapjen e urës, këtë e ka bërë e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Përmes një njoftimi për po të njëjtën çështje, kjo zyrë ka njoftuar se ura e Ibrit në Mitrovicë do të hapet më së voni deri më 20 janar, 2017 dhe kjo me kusht që të nisin punimet në shëtitoren në rrugën “Kral Pjetri”.
Punimet në revitalizimin e urës dhe në zonën përreth rrugës “Kral Pjetri” pritet të nisin më 15 gusht dhe për këtë, siç bën me dije kjo zyrë, Prishtina është pajtuar në një takim të kohëve të fundit në Bruksel të ndërmjetuar nga Bashkimi Evropian.
Siç bëhet e ditur në njoftim të kësaj zyre, pajtimi është arritur në përputhje me Marrëveshjen për urën në Mitrovicë, marrëveshje kjo e arritur më 25 gusht të vitit të kaluar, raporton Koha.net.
Përmes kësaj marrëveshjeje, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, precizohet që punimet në rrugën “Krel Pjetri” dhe ato në urën e Ibrit të nisin njëkohësisht dhe që ura të hapet për komunikacion motorik pasi të ketë përfunduar plotësisht renovimi i rrugës “Kral Pjetri” në hapësirën për këmbësorë dhe pasi të jetë rregulluar çështja e komunikacionit në rrugët kyçëse, për çka është caktuar afati kohor për 20 janar të vitit 2017.
“Për Beogradin më e rëndësishmja është siguria e serbëve në Kosovë e Metohi dhe për këtë është shumë e rëndësishme që është pranuar iniciativa jonë që rruga “Kral Pjetri”, nga ura e deri tek Tregu Shumadia dhe përmendorja e Car Lazarit, të kthehet në zonë shëtitoreje, si dhe në të dy anët e urës të ndërtohen rrethrrotullime”, ka njoftuar kjo zyrë.
Gjithashtu, gjithnjë sipas njoftimit, është arritur edhe marrëveshje me shkrim që postblloku i KFOR-it të vendoset në urë nga ana veriore e Mitrovicës.
Në këtë njoftim, e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë thotë se “hapja e urës së Ibrit duhet të shndërrohet në simbol të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, i cili do të mundësojë që sa më shpejtë që të bëhet e mundshme Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, citohet Koha. (b.an)