Ura e Dragotit dhe Ura e Gjenovës

Nga Mero Baze/

Ura e Dragotit është ndosha ura më e bukur në Shqipëri. Është ndërtuar në vitin 1936 nga një shoqëri gjenoveze, dhe vazhdon të rezistoj. Është futur në listën e Monumenteve të Kulturës por në fakt është utilitare, pasi është ura e vetme që lidh Përmetin dhe juglindjen e Shqipërisë me pjesën tjetër të vendit. Është Ura kyce pa alternativë. Nëse dëmtohet, nëse ka një avari, nëse dhe dy orë duhet të ketë nevojë për remont, askush nuk mund të shkoj drejt Përmetit.

Ura është e ndërtuar me konstrukt hekuri, pa këmbë dhe mbështetet në harkun e sipërm, ndërtuar me pjesë të vogla hekuri, kapur me perçina të derdhur në vend.

Është një teknologji e rrallë inxhinierike, e cila ka rezistuar mbi 80 vjetë.

Por ura ka nisur të ketë problemet e saj. Së pari deri në vitin 1990 ajo ka qenë me dysheme prej dërrase të trashë të stazhionuar për të mos pasur ngarkesë. Pas viteve 90 me papërgjegjësi I është shtuar asfalt.

Nuk është bërë kurrë një rikonstruksion I saj, por herë pas here ndërrohet dyshemeja, duke u rënduar dhe më shumë.

Me rregullore aty lejohet të kalojnë 24 tonë, por aty rregullisht kalojnë nga 40 deri në 60 tonë, pasi Përmeti eksporton vetëm ujë dhe gurë dhe eksportuesit nuk hezitojnë ti mbushin kamionat plot, pasi tradita e pikës policore që ka qenë në urë për sigurinë e saj, është zhdukur.

Paralajmërimet formale që aty nuk duhet të kalojnë dy makina në urë, nuk egzsitojnë më, dhe aty mund të shikosh autokolona me makina njëra pas tjetrës.

Nuk dua të bëj kasandrën, por Ura e Dragotit, mbetet padiskutim rreziku më I madh, jo vetëm për jetë njerëzish, nëse shembet ndërkohë që ka makina sipër, por dhe si një nyje që mund të bllokoj në mënyrë katastrofike kontaktin me Përmetin.

Baypass-i I Tepelenës I cili sapo ka nisur, e parashikon në një fazë të dytë ndërtimin e urës nga Tepelena në fushën e Dragotit që për 4 km zëvendëson 16 kilometrat që duhen për të ardhur deri tek ura e Dragotit nga drejtimi aktual Tepelenë Dragot.

Ura e re jo vetëm që do shpëtonte 12 km rrugë për Përmet, por do shpëtonte vendin nga një tragjedi që nuk besoj se do vonojë shumë, nëse nuk merren masa.

Ura më e bukur e Shqipërisë, ka nevojë të jetë vërtet Monument kulture siç e kanë listuar dhe të shërbej për vetura të vogla dhe mjete të lehta deri mikrobuzë, dukë pasur alternativë Urën e re. Por kjo nuk është çështje trashëgime kulturore. Mbi të gjitha është emergjencë për shkak të papërgjegjësisë në të cilën është lënë meanxhimi I ngarkesave në atë urë, ndërkohë që formalisht duhet të lejohen deri në 24 ton.

Se pastaj nësë ndodh katastrofa do kujtohemi që edhe këtë një kompani gjenoveze e ka bërë. Por në fakt nuk ishte faji I saj, por joni.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU