Universitetet nisin mësimin, Dekani i Shkencave Sociale: Jam kundër bojkotit!

Teksa pothuajse në të gjitha universitetet këtë të hënë studentët kanë zhvilluar mësim, Fakulteti i Shkencave Sociale nuk ka nisur ende. Pedagogët e Shkencave Sociale po bëjnë grevë, ndërsa dekani Edmond Rapti nuk mbështet vendimin e tyre: “Ka shumë studentë të cilët kanë ardhur për të zhvilluar mësim dhe në mbi 10 klasa ka nisur procesi mësimor. Ndërsa një pjesë e pedagogëve sot janë në grevë të paralajmëruar dhe një pjesë e studentëve vazhdojnë me të drejtën e tyre për të protestuar duke ndenjur në holl”.

Në këtë fakultet, me pedagogët grevistë është bashkuar edhe shefi i opozitës kosovare, Albin Kurti, i cili ka bërë thirrje për vazhdimin e protestës. Kundër kësaj fryme janë një grup prej 300 studentësh që kanë kërkuar nga dekani rifillimin e procesit mësimor.

Trupa akademike e Universitetit të Tiranës, në takimin e dytë ka rënë dakord në ngritjen e grupit të punës për hartimin e një dokumenti mbi problematikat e ligjit të arsimit të lartë si dhe fatin e grevës së përgjithshme të pedagogëve ua lënë në dorë asambleve të çdo fakulteti.

Nga ana tjetër, kërkohet nga autoritetet e Universitetit të Tiranës të mbajnë qëndrim për ligjin e arsimit të lartë.

Senati Akademik i Universitetit të Tiranës në mbledhjen e së premtes votoi unanimisht për lirimin e godinës së Fakultetit të Drejtësisë, por rektori Mynyr Koni nuk po ushtron kompetencat që i jep ligji i Arsimit të Lartë për të ndërhyrë, ndryshe nga çfarë tha në 25 janar në takimin me studentët.

/a.meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU