Ulet taksa për pagat e larta? Debate mes deputetëve të PS dhe Ahmetajt

Janë 15 400 punëmarrës, sipas qeverisë, që do të përfitojnë nga ulja e tatimit të të ardhurave nga paga përmes zgjerimit të fashës që tatohet me 13%, duke e çuar kufirin e pagës nga 130 mijë lekë në muaj, në 150 mijë lekë në muaj. Efekti vjetor në buxhet është minus 2,5 milionë euro.

Ky është viti i katërt që qytetarët shqiptarë i janë nënshtruar tatimit progresiv mbi pagat, i vendosur nga qeveria Rama. Nga një taksë e sheshtë prej 10% për të gjitha kategoritë, po zbatohet një nivel taksimi me disa shkallë. Pagat deri 30 mijë lekë dhe gjithë pagat e tjera deri në këtë shumë nuk tatohen. 13% është taksa për diferencën nga 30 mijë deri në 130 mijë lekë. Mbi këtë shifër, pagat tatohen me 23%. Ndryshimi në paketën fiskale rrit pikërisht kufirin që tatohet me 13%.

Më konkretisht, për një të punësuar me pagë 140 mijë, tatimi mbi të ardhurat ulet nga 15 mijë e 300 lekë në muaj që është sot, në 14 mijë e 300 lekë. Pra, kjo kategori përfiton ulje takse 1 mijë lekë në muaj ose rreth 100 euro në vit. Ndërsa për të punësuarit me pagë nga 150 mijë lekë në muaj e sipër taksa ulet me 2 mijë lekë në muaj ose rreth 200 euro në vit.

Qeverisë i erdhi një propozim nga vetë deputetët e mazhorancës për të zgjeruar edhe kufirin e parë të taksës progresive mbi pagat, duke e vendosur nga 30 mijë lekë në muaj, në 40 mijë lekë në muaj. Sipas deputetëve, përfitues të drejtpërdrejtë dhe në formë të plotë janë 70 mijë qytetarë, por rritja e kufirit do të prekte të gjithë të punësuarit në Shqipëri të cilët për pjesën e pagës deri në 40 mijë lekë në muaj nuk do të tatohen për të ardhurat.

Por, ky opsion nuk u pranua nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj: “Po ta dini, treqindëshen në këndvështrimin tim personal e kemi të ekzagjeruar, do të duhet ta mendonim ta ulnim, por nuk është ky momenti, nuk është ky diskutimi sot. Unë jam absolutisht kundër që të shikohet dyshemeja, absolutisht, taksativisht kundër, pastaj Parlamenti le të vendosë si të dojë. Është gabim fiskal”.

Tani mbetet për t’u parë nëse ky propozim i deputetëve socialistë të Komisionit të Ekonomisë do të konkretizohet tek diskutimet nen për nen të paketës fiskale. TCH

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU