U kallëzua për leje abuzive, Sakja: S’jam opozitari i parë që sulmohem nga Rama

Kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja ka reaguar pas kallëzimit nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit për shpërdorim detyre në dhënien e lejeve për shtatë objekte shumëkatëshe në dëm të territorit publik.

Në reagimin e tij Sakja thotë se sot Rama konkretizoi me letra sulmin e tij verbal të ndërmarrë javë më parë duke iu referuar akuzave të kryeministrit ndaj tij për ndërtime të pallateve në rërë.

“Sot, Edi Rama konkretizoi me letra sulmin e tij verbal të ndërmarrë ndaj meje pak javë më parë. Në hall, ngaqë të gjithë sondazhet që bëri në Kavajë, me disa kandidatë të tij, i dalin që të gjithë humbës përballë meje, zgjodhi rrugën e përdhosjes së emrit tim dhe kërcënimin për burg. Është sulm tipik i tij; fillimisht bën akuzën verbalisht, pastaj formulon akt-akuzën. Nuk jam opozitari i parë i sulmuar prej tij, por nëse Edi Rama vazhdon të jetë në krye të qeverisë nuk do jem as i fundit”, shkruan Sakja.

Më tej ai i drejtohet qytetarëve duke i siguruar se të gjithë skenarët komunisto-puciste, nga futja e armëve në kishë e deri tek lincimi publik i kundërshtarëve politikë, i ka të njohur nga historia, ndaj shprehet se nuk impresionohet e as frikësohet.

“Keni patur mundësi që të më njihni përgjatë më pak se dy vite në drejtim të Bashkisë Kavajë, se për nga natyra jam optimist. Unë besoj se në këtë vend ka ende gra e burra që nuk janë vegla qorre të tij, edhe pse që të gjithë jemi nën presion dhe kërcënim. Unë besoj tek gratë e burrat që e duan Shqiperinë me të njëjtin pasion që unë e dua atë, e luftojnë për një të ardhme të Shqipërisë me demokraci të vërtetë të fjalës, mendimit, besimit e veprimit. Unë do të vazhdoj të përmbush misionin tim të drejtimit të Bashkisë Kavajë me të njëjtën dashuri, pasion e përkushtim, sic kam bërë deri tani”, tha Sakja.

/a.rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU