U arrestuan në Spanjë, bllokohen në Shqipëri pronat e trafikantëve

utoritetet shqiptare kanë sekuestruar prona dhe llogari bankare të Arjan Ndocit 41 vjeç nga Laçi dhe Julian Deblinit 35 vjeç nga Lezha, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Ndoci dhe Dublini u arrestuan më 30 Prill në Spanjë, pasi u kapën me 1 ton kokainë dhe 1.5 milionë Euro cash.

Arjan Ndoci njihet edhe me emrat Dritan Gradica, Ardjan Noka, Mondi Prenga, Mond Gjoni, Don Gjoni, kurse Julian Deblini përdor edhe mbiemrin Bedlini.

Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit njoftoi sot se janë bllokuar llogari të tyre bankare dhe të familjarëve, si dhe pasuri të patundshme, të tilla si apartamente e biznese.

Paratë e përfituara nga trafiku i kokainës nga Kolumbia në Spanjë e në vende të tjera të BE-së, dy shqiptarët i kanë investuar kryesisht në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë.

Pas hetimeve të bëra mes autoriteteve shqiptare, atyre spanjolle dhe zyrës së DEA në Athinë, u sekuestruan në vendin tonë pasuri 5 milionë Euro në prona dhe llogari bankare.

Konkretisht, u bllokuan llogaritë në 3 banka të nivelit të dytë, kuotat dhe aksionet e 1 shoqërie tregtare me aktivitet në fushën e ndërtimit, 1 njësie banimi në pallat, 8 apartamente me sipërfaqe ndërtimi 905 metra katrorë, 2 njësi tregtare (dyqane) me sipërfaqe prej 280.4 metra katrorë, 4 garazhde në total sipërfaqe 60 metra katror, 3 automjete të ndryshme. /Klan/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU