Tryeza e dialogut me Ramën, Basha mandatoi si negociator Oerd Bylykbashin

Pas rënies dakord në parim nga Rama dhe Basha për një takim mes tyre, u mendua se më në fund palët do të uleshin në tryezë. Por, në respekt të traditës së mirë të mosbesimit e moskuptimit, dy krerët e partive kryesore në vend kanë vendosur që të paktën edhe këtë javë të mos takohen. Negociata e nisur mes tyre dështoi, për arsye banale.

Oerd Bylykbashi, negociatori i kryetarit të PD-së për takimin me kryeministrin Edi Rama ka kontaktuar stafin e kryeministrit, për të përcaktuar modalitetet e takimit që mund të zgjidhin krizën politike. Burime për GSH.al thanë se Bylykbashi i ka paraqitur një shkresë zyrtare stafit të kryetarit të qeverisë përmes së cilës i kërkohet që të negociojë paprakrakisht me një person të kabinetit për modalitetet e takimit mes liderëve. Në këtë letër-kërkesë, Bylykbashi ka propozuar që vetë ai dhe një zyrtar i stafit të Ramës të bisedojnë paraprakisht për të rregulluar tryezën e dialogut. Mësohet se Bylykbashi ende nuk ka marrë një përgjigje zyrtare nga ana e stafit të kryeministrit.

Në fakt, përgjigjen ja dha vetë Edi Rama në emisionin “Të Paekspozuarit”. “Unë i them takohemi ku të duash e kur të duash, ai thotë jo, të takohen një herë stafet, pastaj takohemi ne. Këtë s’e marr vesh”, tha Rama në “News 24”.

Arsyet e dështimit të takimit i dekonspiroi “pa dashje” edhe vetë Lulzim Basha. “Dua që Rama të vijë në tryezën e takimit me aktin e largimit si kryeministër dhe pranimit të qeverisë teknike”, tha Basha gjatë dialogut me protestuesit në çadër.

Pikërisht ky kusht i vendosur nga Basha – pra largimi i tij me firmë e vulë para takimit – nuk i ka pëlqyer Ramës dhe ndaj ka sjellë pezullimin e negociatave.

Teorikisht, bisedimet mes palëve dhe zgjidhja e krizës duhet të ndodhë para datës 10 prill. Kjo datë shënon edhe afatin e fundit për regjistrimin e partive politike në KQZ ndërsa afati për regjistrimin e koalicioneve parazgjedhore skadon më 19 prill. /b.d

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU