Trump-i s’mund ta neutralizojë lehtë Woodward-in

Nga Howard Kurtz

Analist i televizionit Fox News*

Presidenti Trump dhe aleatët e tij po zhvillojnë një sulm publik ndaj librit më të ri të Bob Woodward-it, por le ta themi qartë, ky i fundit nuk është Omarosa (sh. i përkthyesit: ish vartëse e lartë e Trump-it, e cila ka botuar një libër shumë kritik ndaj tij).

Si një fitues i titujve “Pulitzer”, që ka shkruar libra kritikë për çdo president qysh nga koha e Richard Nixon-it, ai nuk mund të konsiderohet thjesht si një hanxhar i kategorisë së tretë, apo si dikush që ka një inat personal. Woodward-i ka qindra orë regjistrime të intervistave të tij me zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, si dhe shumë dokumente që mbështesin librin e tij “Frika”

Por presidenti, sidoqoftë, po mundohet ta sulmojë, duke i deklaruar portalit Daily Caller: “Është thjesht një tjetër libër i keq. Woodward-i ka patur probleme kredibiliteti”. Ndërsa një ditë më vonë ai u tha reporterëve: “Libri i Bobit s’ka asnjë pikë rëndësie, është thjesht i trilluar… Ai kishte të njëjtin problem me presidentët paraardhës.”

Zyrtarë të lartë të administratës Trump nxituan t’i përgënjeshtronin komentet që u ishin atribuuar atyre në libër. Ndërsa Trump-i shkruajti në Tweeter:  “Libri i Woodward-it është diskredituar tashmë nga gjenerali James Mattis (Sekretari i Mbrojtjes) dhe gjenerali John Kelly (Shefi i Kabinetit). Citimet e tyre i kishte sajuar autori; një mashtrim ndaj publikut. Të ngjashme edhe citimet dhe historitë e tjera në libër. Woodward-i, një operativ i Demokratëve? Rastësi koha kur po del libri?”

Më vjen keq z. President, por ta quash Bob Woodwardin një operativ të mundshëm të Demokratëve thjesht nuk ngjit. Ai botoi një libër të ashpër ndaj Administratës Klinton dhe një tjetër shumë informues rreth keqmenaxhimit të konflikteve ushtarake nga administrate Obama.

Në një tjetër mesazh në Tweeter, ku shkruan “S’e di pse politikanët e Uashingtonit nuk e ndryshojnë ligjin për shpifjet”, presidenti shfaq bezdi ndaj mediave në përgjithësi. Sipas vendimit më të fundit të Gjykatë së Lartë, një figurë publike duhet të provojë se shkrimi i një gazetari është jo vetëm i pavërtetë, por edhe që ky i fundit e ka shkruar me keqdashje apo me një pakujdesi të pafalshme. Çfarë ndryshimi don t’i bëjë këtij vendimi Presidenti?

Woodward-i nuk është perfekt. Ka patur gjithnjë kritika rreth faktit se njerëzit që kanë bashkëpunuar me të për informacione i ka portretizuar më mirë në librat e tij, në krahasim me ata që s’kanë bashkëpunuar (megjithëse ky është një problem me të gjithë gazetarët). Gjithashtu, disa nga episodet e raportuara në librat e tij janë mohuar nga njerzit e përmendur në to.

Për shembull, John Kelly mohoi publikisht të ketë thënë se Presidenti ka dalë nga binarët apo se Shtëpia e Bardhë është bërë  “një qytet i çmendur”.  Jim Mattis mohoi publikisht se e ka karakterizuar Presidentin si një nxënës të kasës së pesët apo të gjashtë, duke e quajtur librin një trill. Ndërsa avokati Joën Doëd mohoi që i ka thënë presidentit se mund të përfundojë me uniformë burgu, në qoftë se pranon të merret në pyetje nga Prokurori Special, Bob Mueller. Këto janë mohime të forta.

Por unë e kam parë nga afër Woodward-in kur punon, dhe e di që ai nuk shpik gjëra nga hiçi. Njerzit që i japin informacion mund ta keqinformojnë, mund të mos i mbajnë mend gjërat saktë, ose edhe mund të kenë axhendat/inatet e tyre personale. Por Bobi nuk trillon.

Kur mohoi ta ketë quajtur Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions, “të vonuar mendërisht” apo “një jugor budalla”, Trump-i tha se Woodëard-i i sajoi këto fjalë për të futur përçarje.

Por mos të harrojmë se Trump-i ka shkruar pesë vjet më parë në Tweeter: “Administrata Obama nuk mund ta kalojë lumin duke sulmuar Bob Woodward-in”

Ndërsa gjatë bisedës së tij telefonike me Woodwardin në gusht (e regjistruar me lejen e Trump-it), Presidenti tha: “Unë do ta kisha dhënë me kënaqësi një intervistë ty për librin. Ti e di që unë jam shumë i hapur. Mendoj se nuk më ke rënë asnjëherë kot në qafë.” Por sapo pasazhet e para nga libri qarkulluan në media, qendrimi i Trump-it ndryshoi.

Meqë ra fjala, diçka të ngjashme e përjetova edhe unë kur shkruajta librin “Çmenduria e mediave: Donald Trump, mediat dhe lufta për të vërtetën”. Atëherë u kërkova disa zyrtarëve të lartë që të më rregullonin një intervistë me Presidentit, por asgjë nuk bënë. Dhe dy javë para se të shtypej libri në shtypshkonjë, mora një telefontë, gjatë së cilës u shpreh habi që nuk kisha pritur për intervistën me Presidentin. Por edhe pas asaj telefonate, nuk u bë njeri i gjallë për intervistën.

Libri im, përveç armiqësisë së mediave ndaj Trump-it, pasqyroi edhe përpjekjet e ndihmësve më të afërt të Trump-it, për ta ndaluar të merrte vendime që ata i konsideronin të gabuara, apo të ndërmerrte sulme personale. Këto përpjekje e përplasje të brendshme në Shtëpinë e Bardhë janë raportuar edhe në artikuj të pafundëm investigativë në media. Prandaj dhe nuk të çudit fakti që tema kryesore e librit të Woodward-it është pikëisht “kriza nervore në pushtetin ekzekutiv”, siç e quan ai.

Gjithashtu vlen të theksohet se Woodward-i nuk bën pjesë tek kritikët publikë të Trump-it. Ndryshe nga ish kolegu i tij i afërt, Carl Bernstein (i cili e ka quajtur presidencën e Trump-it keqdashëse dhe, pas librit të Woodwardit, edhe një emergjencë kombëtare), Woodward-i ka deklaruar herë pas here se mediat kanë qenë në disa raste të njëanëshme kundër Presidentit. Ai ka qenë i ftuar rregullisht si në Fox News, edhe në televizione të tjera.

Në vazhdim është një citim në libër i generalit Kelly, që Woodward-i e përcjell në ligjëratë të drejtë, por që nuk është theksuar këto ditë në media: “Unë jam mburoja e vetme e presidentit ndaj sulmeve të mediave. Mediat duan ta shkatërrojnë atë. Ndërsa unë jam i vendosur t’i pengoj, duke i marrë mbi vete plumbat e shigjetat.”

Me pak fjalë, libri na jep një tablo të shëmtuar të kaosit në Shtëpinë e Bardhë, por edhe roli antagonist i mediave është përfshirë në tablonë që na jep Woodward-i.

*Stacioni televiziv që pëlqehet më shumë ngaTrump-i dhe përkrahësit e tij.

(Përkthyer nga Eduard Zaloshnja)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU