Shpërthimi i fuqishëm që ndodhi ditën e djeshme në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë dyshohet të ketë ndodhur për motive pronësie. Edhe pas rreth 24 orësh, për policinë e kryeqytetit kjo është edhe pista më e mundshme dhe në të cilën po hetohet.
Kjo pasi objektit në ndërtim të cilit iu vendos sasi eksploziv, rezulton të ishte konfiskuar nga ana e Bankës për mos shlyerjen e kredisë nga ana e pronarit Arben Bardhi.
Pas konfiskimit, bana e ka nxjerrë atë në ankand për një vlerë prej rreth 7 milionë lekësh, e cila është blerë nga pronari i ri tashmë i objektit, Vangjush Stavro. Kjo dyshohet të ketë sjellë konfliktin mes pronarëve, çka ka çuar edhe në shpërthimin e mbrëmshëm.
Nga ana e tyre, uniformat blu kanë bërë shoqërimin e disa personave të dyshuar, mes të cilëve edhe të afërm të dy pronarëve, të cilët janë marrë në pyetje. Burime për JavaNews.al bëjnë të ditur se të dy pronarët kanë pasur edhe më parë konflikte mes tyre për pronësinë e objektit.
Ndërkohë në të njëjtën kohë po punohet për arrestimin e personit që ka vendosur lëndën eksplozive.
Shpërthimi ndodhi mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:20, ku si rezultat u plagosën dy kalimtarë të rastit, si dhe u dëmtuan disa automjete të parkuara aty pranë.